Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se cilat ishin temat kryesore gjatë pjesëmarrjes së tij në Forumin Ekonomik në Delfi të Greqisë.
I pari i qeverisë tha se siguria në Evropë dhe në rajon pas invazionit e agresionit rus në Ukrainë, si dhe intensifikimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor ishin temat e takimeve që Kurti zhvilloi atje.
Në ditën e parë, Kurti tha se u takua me kryetarin e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq, me të cilin sipas tij, u bisedua mbi mundësitë e forcimit dhe përparimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, përkundër siç tha Kurti, pengesave politike.
Kurti, gjithashtu zhvilloi takim edhe me Kryeshefin Ekzekutiv të Forumit Ndërkombëtar të Fondeve Sovrane të Pasurisë, Duncan Bonfield.
“Me Kryeshefin Ekzekutiv të Forumit Ndërkombëtar të Fondeve Sovrane të Pasurisë (IFSËF), z.Duncan Bonfield diskutuam për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës dhe mënyrat se si IFSËF mund të na ndihmojë me dijen dhe përvojën e tyre”, ka shkruar Kurti, përcjell Klankosova.
Në takim me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, kryeministri i Kosovës tha se biseduan për mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe hapat e ardhshëm në këtë proces.
Ndërsa, Gabriel Escobar, Kurti tha se ia rikonfirmoi mbështetjen e ShBA-së për Kosovën, sovranitetin e integritetin e saj territorial dhe për aspiratat për integrime evropiane e euroatlantike.
Në ditën e dytë takova Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, z.Miroslav Lajçak, me të cilin biseduam për mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe hapat e ardhshëm në këtë proces.
“Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherit i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, z.Gabriel Escobar ma rikonfirmoi në takim mbështetjen e ShBA-së për Kosovën, sovranitetin e integritetin e saj territorial dhe për aspiratat për integrime evropiane dhe euroatlantike”.
“Me Kryeshefin Ekzekutiv të Copelouzos Group, z.Christos Copelouzos folëm për mundësitë që Kosova ofron për investime, me fokus te burimet e ripërtëritshme të energjisë”, ka shkruar Kurti.
Kreu i qeverisë kosovare, ka takuar edhe homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe atë të Bullgarisë, Kiril Petkov, si dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, me të cilin sipas Kurtit, u diskutua për avancimin e marrëdhënieve bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes vendeve.
“Në përmbyllje të Forumit mora pjesë në drekën e shtruar nga Kryeministri i Greqisë, z.Kyriakos Mitsotakis, së bashku me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, z.Dimitar Kovaçevski, Kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, z.Zdravko Krivokapiq, Kryetarin e Qeverisë së Bosnje Hercegovinës, z.Zoran Tegeltija dhe Kryeministrin e Bullgarisë, z.Kiril Petkov”.
“Gjatë drekës diskutuam për rëndësinë e luftimit të korrupsionit, demokratizimin e rajonit dhe integrimin evropian, si shtylla të domosdoshme për paqe e prosperitet në Ballkan”, ka shkruar Kurti.
Ai më tej tha se u fol edhe për situatën në Ukrainë, ku tha se vendet e rajonit duhet të jenë syhapur karshi lidhjeve të gjera e të thella të Rusisë dhe Serbisë dhe rrezikun, që sipas tij, paraqesin për destabilizim të rajonit.
“Për paqen dhe stabilitetin afatgjatë është i domosdoshëm integrimi sa më i shpejtë dhe i plotë i Ballkanit Perëndimor në strukturat e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s”, ka shkruar Kurti.
Në Forumin Ekonomik të Delfit, bashkë me Kurtin ishin edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, zëvndësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Liza GAshi dhe udhëheqësi i Zyrës së Interesave të Kosovë në Athinë, Fitim Gllareva.