Kryeministri Albin Kurti përmes një shënimi në Facebook ka thënë se Kosova është storie suksesi në sytë e ndërkombëtarëve gjatë kësaj periudhe sa ai ka ardhur në qeverisje.
Ai thotë se Kosova është dëshmi se zhvillimi ekonomik dhe progresi demokratik mund të ecin krah për krah.
I pari i Qeverisë ka shkruar se nuk ka raport kredibil ndërkombëtar që nuk e ka njohur përparimin e vendit në demokraci, në të drejtat e njeriut, luftim të korrupsionit, sundim të ligjit, dhe qeverisje të mirë këto dy vjet e gjysmë.
“Kosova është dëshmia e kohës se zhvillimi ekonomik dhe progresi demokratik mund të ecin krah për krah. Nuk ka raport kredibil ndërkombëtar që nuk e ka njohur përparimin tonë në demokraci, në të drejtat e njeriut, luftim të korrupsionit, sundim të ligjit, dhe qeverisje të mirë këto dy vjet e gjysmë”.
Ai thotë se raporti i BE-së për vendin i vitit 2022 ishte më i miri që ka pasur Kosova deri më tani.
“Transparency International në Indeksin e tyre të Perceptimit të Korrupsionit na ka renditur për 20 vende më lartë. Sivjet jemi në pozitën më lartë që kemi mbajtur ndonjëherë. Për 22 vende më lartë jemi renditur në Indeksin e Lirisë së Medieve, sipas Reporterëve pa Kufij. Në vitin e parë të qeverisjes kishim shënuar përmirësim rekord brenda një viti, duke u ngritur për 17 vende, kurse në vitin e dytë kemi arritur renditjen më e lartë ndonjëherë në këtë indeks. Pra, përmirësim i dyfishtë”.
Kurti thotë se bota njohu progresin domethënës të Kosovës edhe për të drejtat politike dhe liritë civi
“E për përmirësim në të drejtat politike dhe liritë civile, raporti i Freedom House i këtij viti, renditi Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor, të dytën në Evropë dhe të tretën në botë. Për nga përmirësimi në fushën e sundimit të ligjit, të dytët në botë na rendit edhe raporti i Projektit të Drejtësisë Botërore, i cili për të dytin vit me radhë të qeverisjes sonë, e nxjerr Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor”.
Por edhe në aspektin ekonomik, Kurti thotë se raporte të shumta ndërkombëtare kanë evidentuar progresin e Kosovës.
“Të parët në Ballkanin Perëndimor për Demokraci Elektorale dalim edhe sipas vlerësimit të Institutit V-Dem. Njashtu edhe sipas raportit të vitit 2022 të Fondit Ndërkombëtar Monetar për sa i takon rritjes së grumbullimit të të hyrave, edhe atë pa ndryshuar politikat fiskale. Ndërkaq, sipas Bankës Botërore, Kosova krahas pakos mbështetëse më të madhe (si përqindje e BPV-së) në rajon për qytetarët në përballje me inflacionin dhe krizën energjetike, ajo pritet të ketë rritjen më të madhe reale ekonomike në rajon për tre vitet e ardhshme”.
“Projeksione të njëjtë ka edhe Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, e cila thotë se vendi ynë pritet të ketë rritjen më të lartë ekonomike në Ballkanin Perëndimor për këtë vit dhe vitin tjetër. E një raport tjetër i Bankës Botërore, ai mbi Indeksin e Maturitetit të Teknologjisë, e ka ngritur Kosovën nga grupi C në atë B për fokus në qeverisje digjitale”.
Duke ju referuar disa matjeve të Balkan Barometër, Kurti thotë se Qeveria e Kosovës gëzon mbështetjen e 56% të qytetarëve.
“Dy vjet e gjysmë pas, Qeveria e 50.2% të zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit 2021, gëzon besimin e 56% të qytetarëve, më të lartin në mesin e të gjithë qeverive të Ballkanit Perëndimor, sipas matjeve të Balkan Barometer 2023”, ka shkruar tutje Kurti.