Që nga e hëna e 1 janarit, makinat me targa RKS – Republika e Kosovës – po lëvizin lirshëm në territorin e Serbisë. Lëvizja e tyre është mundësuar pas vendimit të 25 dhjetorit të vitit 2023 të Qeverisë serbe, shkruan Reporteri.net.
Kryeministri i Kosovës, ka dalë sërish me një njoftim rreth këtij vendimi.
“Targat RKS qarkullojnë lirshëm e hapur nëpër territorin e Serbisë”, shkroi ai në Facebook të premten.
“Në mbledhjen e fundit të qeverisë për vitin 2023, mbajtur më 27 dhjetor, pata kërkuar raportim lidhur me zbatimin e vendimit nga autoritetet e Serbisë për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me targa RKS në territorin e Serbisë nga data 1 janar 2024. Nga raporti i policisë sonë e cila ka monitoruar gjithçka me shumë vëmendje jemi njoftuar që kemi zbatim të plotë, dhe se nuk ka pasur incidente a pengesa. Andaj, bazuar në parimin e reciprocitetit si një premisë e rregullimit të marrëdhënieve të shteteve të pavarura, mbrëmë morëm vendim që njësoj të lejohen edhe automjetet që vijnë nga ana tjetër e kufirit me targa të Serbisë. Ky vendim i yni nis të zbatohet me t’u publikuar në Gazetën Zyrtare. Në rast se Policia e Kosovës ndërkohë pranon raportime nga terreni për ndryshim të qasjes a sjelljes nga autoritetet e Serbisë për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me targa të Republikës së Kosovës në territorin e Serbisë, apo pengimin e lëvizjes së lirë në çfarëdo forme, ne do të njoftohemi me kohë dhe do të veprojmë”, ka shkruar kryeministri.