Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i përcjellur me bashkëpunëtorë e kandidatë për deputetë pas vizitave që i bëri Spitalit të Prizrenit dhe K.R.U “Hidroregjioni Jugor”, ka parë për së afërmi realizimin e disa projekteve kulturore e sportive në këtë qytet.
Kurti ka parë nga afër punimet e rinovitmit të shtëpive historike në rrugën “Marin Barleti”, të cilat janë duke u realizuar nga MKRS-ja.
Pas kësaj Kurti ka takuar edhe drejtuesit, stafin dhe një pjesë të lojtarëve të FC “Liria”, me të cilët ka biseduar rreth progresit të punimeve në Stadiumin e qytetit të Prizrenit, investim i qeverisë në vlerë prej 13 milionë euro.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me bashkëpunëtorë e kandidatë për deputetë zhvilloi vizitë të rëndësishme në qytetin historik të Prizrenit, ku vëmendja u përqendrua te investimet dhe përkujdesja për trashëgiminë kulturore dhe infrastrukturën sportive, krahas asaj të shëndetësisë në pjesën e parë të ditës dhe Ndërmarrjen e ujit KRU “Hidroregjioni Jugor”.
Në rrugën ikonike “Marin Barleti”, Kryeministri pa nga afër punimet e rinovimit të shtëpive historike, që po realizohen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Më tej, Kryeministri shëtiti përgjatë Shatërvanit, simbolit të qytetit, duke vlerësuar bukurinë unike të Prizrenit.
Vizita vazhdoi në “Korner”, ku Kryeministri pati mundësinë të bashkëbisedojë me drejtuesit, stafin dhe lojtarët e Klubit të Futbollit “Liria”. Diskutimi përfshiu progresin e punimeve në Stadiumin e Qytetit të Prizrenit, për të cilin Qeveria ka ndarë një fond prej 13 milionë eurosh.
Kjo vizitë dëshmon përkushtimin e Qeverisë së Kosovës me në krye Kryeministrin Kurti për të ruajtur historinë, për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të mbështetur sportin si një shtyllë e rëndësishme e komunitetit.