Kurti takohet me Marta Kos: Kosova meriton pranimin e pyetësorit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat

0
91

Kryeministri Albin Kurti është takuar në Bruksel me Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos. Ky është takimi i parë mes tyre që prej se Kos ka marrë detyrën e re.

Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Kurti e njoftoi Kos mbi detajet dhe informacionet në lidhje me sulmin e së premtes në kanalin e Ibër-Lepencit, duke theksuar që në mesin e konfiskimeve të bëra në lidhje me rastin, krahas armatimit dhe municioneve, janë gjetur edhe 74 emblema ushtarake, prej të cilave 20 janë të njësive të ndryshme ushtarake ruse, përveç atyre serbe.

Tutje, Kurti ka thënë se Kosova e meriton pranimin e pyetësorit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Ai ka kërkuar edhe heqjen e masave ndaj Kosovës.

“… kryeministri Kurti u shpreh se përkushtimi i Republikës së Kosovës në zbatimin e reformave evropiane dhe linjëzimi i plotë me vlerat dhe politikën e jashtme të Bashkimit Evropian meriton pranimin e pyetësorit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, teksa po i afrohemi 2-vjetorit të dorëzimit të aplikimit për anëtarësim. Gjithashtu, ai bëri thirrje për largimin e masave ndaj Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, kanali i ujit të Ibër-Lepencit u sulmua mbrëmjen e së premtes. Nga ky kanal furnizohen me ujë disa qytete të vendit përmes Liqenit të Ujmanit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Pas këtij sulmi, Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës janë aktivizuar në terren për këtë qëllim.

Kosova ka akuzuar për këtë sulm Serbinë.

Sulmi është dënuar edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here