Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të udhëtojë sot për në Sarajevë, ku një ditë më vonë do të marrë pjesë në një konferencë të organizatës joqeveritare “Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99”.
Lajmi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga udhëheqësi i kësaj organizate, Adil Kullenoviq, i cili shtoi se kryeministri kosovar do të mbajë një fjalim në këtë konferencë.
E për këtë çështje është deklaruar edhe presidenti i Republika Srpska, Millorad Dodik.
Vizita e Kurtit në Sarajevë do të komplikojë ndjeshëm marrëdhëniet në Bosnje dhe Hercegovinë, deklaroi presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik.
“Ne nuk do të lejojmë që shqiptarëve nga ai rajon t’u lejohet hyrja me letërnjoftim, sepse kjo do të nënkuptonte njëfarë njohjeje të të ashtuquajturës Kosovë. Në këtë drejtim, kemi lajmin se Kurti po vjen në Sarajevë. Dhe kur ndërhymë dhe thamë se kjo do të ishte një shkëndijë për probleme serioze mes nesh në Bosnjë dhe Hercegovinë, ata menduan që ta ftonte ndonjë organizatë joqeveritare në ndonjë sesion”, tha Dodik, raporton RTRS.
Në tetor, Kurti kishte deklaruar gjatë një samiti të Procesit të Berlinit se Kosova do të lejojë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës të hyjnë në Kosovë me letërnjoftim, duke nisur nga 1 janari i vitit 2025.