Kurti: Shqiptarët e kanë të qartë orientimin euroatlantik, duhet të jemi krah për njëri-tjetrin

0
162

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shqiptarët duhet të jenë të bashkuar drejt rrugës së Bashkimit Evropian, duke theksuar se sfidat shpesh janë të ngjashme të përbashkëta.

Pas takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Shkup, Kurti ka shkruar se është takuar me Kryetarin e Aleancës për Shqipëtarët, Arben Taravarin, duke shtuar se shërbimi ndaj qytetarëve duhet të jetë qellim i palëkundur, e rruga euroatlantike është e qartë.

“Në Shkup, në margjina të konferencës së liderëve të rajonit për Planin e Rritjes së BE-së, bashkë me kryeministrin Rama takuam dhe bashkëbiseduam me Arben Taravarin, Kryetarin e Aleancës për Shqiptarët. Shqiptarët më shumë sesa fat, e kanë vetëdije historike e kombëtare orientimin e qartë euro-atlantik dhe ndërtimin e aleancave mbi vlera e bindje. Sfidat shpesh i kemi të ngjashme e të përbashkëta. Shërbimin ndaj qytetarëve duhet përherë ta kemi qëllim të palëkundur të angazhimit politik. E në rrugë e sipër na duhet të jemi krah për njëri-tjetrin, për zhvillim, demokratizim, reformë, progres dhe mirëqenie”, ka theksuar Kurti në Facebook.

Gjatë ditës së djeshme, në Shkup u takuan drejtuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar mbi Planin e Rritjes Ekonomike të Bashkimit Evropian që u ofron këtyre vendeve një fond prej gjashtë miliardë eurosh.

Në takim ishte i pranishëm Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien dhe zyrtarë të lartë të BE-së.

Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë shprehur gatishmëri për t’i zhvilluar vendet e tyre sipas standardeve evropiane për një qëllim të caktuar – anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Kështu është thënë në deklaratën e miratuar në fund të konferencës “Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe integrimi më i shpejtë në BE”.

Përgjatë konferencës, liderët janë paralajmëruar që nuk do të mund t’i vendosin njëri-tjetrit veto përgjatë procesit, dhe nëse ka tendenca të tilla, do të ndëshkohen.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here