Kurti: Serbët në veri mund të ngritin barrikada dhe të sulmojnë Policinë përsëri

0
168

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka lavdëruar aksionin e djeshëm të policisë me ç’rast u shkatërruan tre laboratorë të drogës në veri të vendit.

Megjithatë ai ka shtuar se bandat kriminale të sponsorizuara nga Beogradi nuk do të ndalen për t’i mbrojtur ndërmarrjet e tyre të paligjshme, qoftë kjo edhe me ngritjen e barrikadave të armatosura.

“Policia e Kosovës ka shkatërruar dje 3 laboratorë ilegalë të drogës në veri të Kosovës, një fitore e qartë për sundimin e ligjit. Bandat kriminale të sponsorizuara nga Serbia nuk do të ndalen para asgjëje – duke përfshirë barrikadat e armatosura dhe sulmet e dhunshme ndaj policisë – për të mbrojtur ndërmarrjet e tyre të paligjshme. Ata do të dështojnë”, ka shkruar ai në Twitter.

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për operacionin “Shpata” që u zhvillua dje, që u realizua në tri lokacione në rajonin e Mitrovicës së Veriut.

Pasi ministri Xhelal Sveçla njoftoi për një laborator të zbuluar droge në atë pjesë, Policia ka treguar se ky operacion ka rezultuar me zbulimin edhe të dy laboratorëve tjerë.

“Gjatë realizimit të këtij operacioni antidrogë është arritur të zbulohen tre (3) laboratorë me bimë narkotike; dy laboratore me rreth 1200 bimë narkotike, si dhe laboratori i tretë (pa bimë) me pajisje të sofistikuara për kultivim të bimëve narkotike në të”, njoftoi Policia.

Njësitet policore arritën t’i arrestonin disa të dyshuar serbë dhe akuzoi zyrtarë të lartë të Serbisë për lidhje me pronarët e laboratorëve të drogës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here