Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur shqetësimin se Serbia po e armatos ushtrinë e saj me pajisje nga Rusia dhe Kina, derisa ka ripërsëritur mundësinë për luftë në Kosovë.
Në një intervistë për gazetën kroate “Vecernji list”, Kurti ka thënë se do të ishte e papërgjegjshme të thuhej se s’do të ketë kurrë më konflikt dhe luftë.
“Nëse nuk ka përgatitje për luftë, pse vitin e kaluar Serbia dhe Rusia kanë pasur 104 stërvitje dhe aktivitete të përbashkëta ushtarake nga 91 që kishin planifikuar, dhe në të njëjtën kohë, dy stërvitjet më të rëndësishme ushtarake që kishin qenë, të quajtur ‘Mburoja Sllave’ dhe ‘Vëllazëria Sllovene’”, ka pyetur Kurti.
Ai ka folur edhe për kundërshtimin e tij për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, duke thënë se kjo do të ishte parathënie e krijimit të Republikës Srpska të re.
Ai posaçërisht theksoi se përderisa serbët i kanë këto ëndrra për Kosovën si pjesë e Serbisë, ato ëndrra do të kthehen në makth për të gjithë Ballkanin, duke theksuar se në Ballkan nuk mund të ketë luftë pa Serbinë, as paqe pa shqiptarë.
Sipas Kurtit, gjëja më e rrezikshme është se lidershipi i Serbisë e konsideron Rusinë nënë të tyre.
Kjo nuk është hera e parë që kryeministri Kurti flet për mundësi të luftës në Kosovë.
Në gusht të këtij viti, në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica”, ai ka thënë se Kosova rrezikon luftën pasi pas Serbisë ndodhet Rusia.