Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot është pyetur nga gazetarët për takimin që pati me shefin e CIA-s, William Burns, javën e kaluar në Prishtinë.
Kurti tha se takimi “ka shkuar shumë mirë”, ndërsa u shpreh se vizita e Burns në Kosovë është dëshmi e përkushtimit të SHBA-së për sigurinë e Kosovës.
“Takimi ka shkuar shumë mirë dhe ne natyrisht që ne kemi bashkëpunim me SHBA dhe me këtë institucion tejet të rëndësishëm të inteligjencës dhe sigurisë, para së gjithash nëpërmjet Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Kjo është një dëshmi tjetër e përkushtimit dhe kujdesit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sigurinë edhe parandalimin e çfarëdo kërcënimi të sigurisë për Republikën tonë në kuadër të marrëdhënieve bilaterale me SHBA-në dhe të paqes, stabilitetit e sigurisë rajonale të Ballkanit Perëndimor”.
Këto komente Kurti i bëri nga Klinika Emergjente në Qendrën Klinike Universitare ku u përuruan disa renovime të këtyre hapësirave.