Kryeministri Albin Kurti në konferencën pas mbledhjes së qeverisë ka thënë se gjatë vitit 2023 ka pasur fusha në të cilat do të donte që të kishe më shumë sukses.
Pa përmendur se ku, ai ka vazhduar të thotë se asnjë punë nuk ka shkuar në drejtim të gabuar.
Sa për protestat e mbajtura gjatë vitit, ai ka shtuar se “Nuk besoj se qytetarët janë të pakënaqur. Opozita është e pakënaqur sepse është në opozitë. Kritikat i marrim me vëmendje sepse na ndihmojnë. Sharjet dhe sulmet na kanë ndihmuar”, ka thënë ai, njofton Klankosova.tv.
“Nuk jemi të përsosur”, është përgjigjur Kurti në pyetjen e gazetarëve nëse mendon se qeverisja e tij ka qenë e përkryer.
Ai paraprakisht ka treguar se përgjatë këtij vitit qeveria ka mbajtur 62 mbledhje me 564 vendime të marra e 78 projektligje të kaluara.