Kurti pasi pranoi propozimin evropian, a u tregua “good guy” para SHBA-së?

0
198

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 6 shkurt, pas një takimi me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak tha se e pranon propozimin e bllokut evropian. Kurti tha se e konsideron këtë propozim si “një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”, shkruan Gazeta Sinjali.

Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u është dorëzuar dy vendeve në fund të verës së vitit të kaluar, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.

Ky propozim parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.

Së fundmi, këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, e ka mirëpritur vendimin e Kosovës për ta pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, pas një bisedë telefonike që e ka pasur të premten me kryeministrin, Albin Kurti.

Në një postim në Twitter, Chollet tha se tash ka nevojë për zbatimin e propozimit evropian, i cili sipas tij, do të sigurojë përfitime të rëndësishme për të dyja vendet.

“Mirepresim vendimin për ta pranuar propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë nëpërmjet dialogun të ndërmjetësuar nga BE. Tani duhet implementim për të siguruar përfitime domethënëse për të dyja vendet”, ka shkruar Chollet.

Pas Cholletit, ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili ka shpërndarë postimin e tij dhe ka shkruar se SHBA-ja do t’i mbështesë plotësisht hapat e ardhshëm për propozimin e BE-së.

“Ky progres është i rëndësishëm për Kosovën pasi ne mbështesim integrimin e saj të plotë në strukturat euroatlantike dhe ndërkombëtare”, ka shkruar ai.

Në anën tjetër, kryeministrja serbe Ana Bërnabiq deklaroi se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Republikën e Kosovës është kusht për vazhdimin e dialogut ndërmjet dy vendeve.

Ajo tha se Asociacioni nuk duhet të jetë “siç e mendojnë disa” si organizatë joqeveritare.

“Atje nuk ka asnjë interes apo dëshirë që të formohet Asociacioni i komunave serbe, por për mua kjo tregon se nuk ka dëshirë të zbatohen marrëveshjet që janë nënshkruar, marrëveshjet që janë nënshkruar para 10 vitesh, pra ky është kushti i të gjitha kushteve për bisedime të mëtutjeshme, një Asociacion i komunave serbe dhe jo siç e imagjinojnë si ndonjë organizatë joqeveritare, qoftë nga Serbia nga territori i Kosovës apo nga edhe jashtë, dhe jo si e imagjinon ndonjë politikan, por një Asociacion i komunave serbe në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, ekipet menaxhuese, përgjegjësitë që janë të përcaktuara qartë dhe saktë, kështu që Asociacioni i komunave serbe është dhe duhet të jetë kusht i të gjitha kushteve për të gjitha diskutimet e mëtutjeshme dhe për çdo dialog të mëtejshëm, sepse në prill do të bëhen 10 vjet që kur është nënshkruar marrëveshja e Brukselit si marrëveshja e parë e normalizimit”, deklaroi Bërnabiq.

Ndryshe, SHBA-ja dhe BE-ja kanë intensifikuar angazhimin e tyre që të shtyjnë palët drejt një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së – proces që ka mbështetjen e SHBA-së – që nga viti 2011.

Ky proces synon normalizimin e plotë të raporteve, përmes një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme. Por, palët kanë qëndrime të ndryshme sa i përket përfundimit të negociatave.

Kosova kërkon që marrëveshja eventuale të përfshijë njohjen reciproke, por për Serbinë njohja është “vijë e kuqe” dhe Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Kurti “good guy”?

Kryeministri Albin Kurti dhe deputeti i AAK-së Ramush Haradinaj në njërën prej seancave të vitit të shkuar ishin përplasur në Kuvend se kush është “good guy”

Përplasja erdhi si pasojë e shtyrjes së zbatimit të vendimeve për targat në veri dhe reciprocitetin me letërnjoftime me Serbinë.

“Kryeministri tha mos shit moral. Unë vërtetë s’kam kujt me i shitë se i kisha shitë. Po atij që është bo ‘good guy’ më nuk di në çfarë drejtimi me i shitë moral ose me çfarë vlera për shkak se ‘good guy-ve’ nuk di. Di me ju shitë njerëzve që janë më të vërtetë edhe e dijnë çka po dojnë”, kishte thënë Haradinaj në Kuvend.

Ndërkaq, Kurti në replikën e tij iu drejtua Haradinajt duke i thënë se gjithmonë ka qenë ‘good guy’.

“Ju e dini shumë mirë unë gjithmonë kam qenë ‘good guy’. Pra absolutisht nuk ju kuptoj çfarë vlere paska mos me qenë ‘good guy’. Kam besuar në atë që kam thënë dhe kam vepruar sipas asaj që kam besuar, kjo të bën ‘good guy’”, është shprehur Kurti.

“Kur është situata tejet e rrezikshme për shtetin për kombin, po kam bë veprime radikale por, tash nuk është ajo situatë. Kur Kosova rrezikohet me shkëmbim territorial e ndarje, kur rrezikohet me ‘Zajdenicën’ normalisht që jam radikal por, sot nuk jam radikal, nuk ka nevojë”, shtoi ai.

Kreu AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka kritikuar kryeministrin, Albin Kurti duke e quajtur ‘good guy’ në mënyrë ironike pasi sipas tij, po bën çka t’i thonë ndërkombëtarët./Sinjali

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here