Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas takimeve bilaterale me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe të Dërguarin e Posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, është prononcuar para gazetarëve, raporton Gazeta Sinjali.
Kurti tha se nuk pati takime trilaterale, për shkak të refuzimit të palës tjetër, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai bëri të ditur se u ka prezantuar Borrell dhe Lajçak dokumentacionin lidhur me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës në Leposaviq.
“Unë kam ardhur për t’u takuar për t’u marrë vesh që të kemi dakordësime e të ecim përpara”, tha kryeministri Kurti, derisa shtoi se jo gjithçka varet prej tij. Në fillim të takimit unë kam prezantuar një dokumentacion Borrellit dhe Lajçakut lidhur me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës në Leposaviq, më 14 qershor, kur janë bërë më shumë se një javë e që po mbahen peng nga Serbia në burgun e Kralevës”, tha Kurti duke kërkuar që ta dënojnë agresine e Serbisë ndaj Kosovës publikisht.
Tutje, kryeministri Kurti tha se është diskutuar edhe për de-eskalimin, ku nënkuptohet largimin e grupeve kriminale që menjëherë do të përcillej me zvogëlimin e trupave të policisë në ndërtesën komunave.
“Ndërkaq sa i përket zgjidhjes më të qëndrueshme, natyrisht se ka nevojë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri me një proces qe i paraprihet nga sundimi i ligjit, nga një fushatë e hapur e fer dhe nga zgjedhjet e lira e demokratike”, tha mes tjerash Kurti.