Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch, në një takim të cili u përqendrua në zhvillimet e fundit në vend, me theks të veçantë sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të vendit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, tha se sulmi në veri ishte pjesë e një skenari më të gjerë të Serbisë për aneksimin e veriut të Kosovës.
Kurti tha se posedojnë dëshmi të cilat i kanë ndarë edhe me partnerët ndërkombëtarë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ai u shpreh se duhet të punojnë me aleatët, veçanërisht me ShBA-në për të parandaluar që sulme të tilla të përsëriten.
“Përfshirja e shtetit të Serbisë në sulmin e 24 shtatorit ka ndodhur të paktën në katër shtresa. Kemi gjithashtu dëshmi që i kemi shkëmbyer me partnerët tanë ndërkombëtarë që plani ka qenë pjesë e një skenari më të gjërë për aneksimin e krejt veriut të Kosovës përmes sulmeve të koordinuara në 37 vende, përmes themelimit të një korridori me Serbinë për të mundësuar furnizim të vazhdueshëm të armëve dhe trupave në veriun e Kosovës. Nuk mund t’ua kthejmë Afrim Bunjakun familjarëve dhe shtetit, por duhet të punojmë me aleatët tanë, veçanërisht SHBA për të bërë krejt çka mundemi që të parandalojmë sulme të ngjashme në të ardhmen”, tha Kurti.
Kryeministri foli edhe për mundësinë e kthimit në negociata, teksa tha se dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Kryeministri u shpreh se duhet të ndërmerren një varg hapash që dialogu të ketë edhe një shans për të pasur sukses.
“Përpjekjet e Serbisë për destabilizim duhet të ndërpriten tani. Është koha që Serbia të mbahet përgjegjëse, përndryshe këto sjellje dhe sulme do të vazhdojnë. Njoftova po ashtu senatorët se dialogu i lehtësuar nga BE-ja nuk mund të vazhdojë thuajse nuk ka ndodhur asgjë, nuk mund të vazhdojmë punën këtë status quo edhe më tutje. Kapitulli i dialogut për normalizim duhet të marrë parasysh edhe veprimet sulmuese e agresive të Serbisë dhe përpjekjet e saj për aneksimin e Kosovës. Duhet të ndërmerren një varg hapash që dialogu të ketë edhe një shans për të pasur sukses dhe besoj se është tepër e rëndësishme të kemi një qasje të balancuar, përfshirë që të dënohet çdo shkelje e marrëveshjes bazë dhe aneksit për zbatim ë Ohrit”, tha Kurti ndër të tjera.