Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka thënë se 18 ditë pas sulmit terrorist në Banjskë, që synim kishte aneksimin e veriut, u dokumentua përfshirja e të paktën katër shtresave të shtetit serbe, Presidencës, Shërbimit të Inteligjencës, Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë serbe.
Kurti tha se dështimi i ka bërë ata shumë të dëshpëruar dhe mund të tentojnë për skenarë të tjerë detabilizues, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kryeministri shtoi se lirimi i Milan Radoiçiqit më pak se 24 orë pas arrestimit është dëshmi dhe sinjal i potencialit për rigrupim dhe hakmarrje.
Kurti ka thënë se Serbia asnjëherë më parë nuk i ka ngjarë më shumë regjimit të Millosheviqit në metoda e veprime.
Kryeministri shtoi se institucionet kosovare të sigurisë dhe inteligjencës së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimeve të sulmeve të dhunshme nga grupe të strukturave kriminale serbe në Kosovë.
Ai ka thënë se qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës.
“Jemi 18 ditë pas sulmit paramilitar, terrorist e kriminal të 24 shtatorit. Shumëçka është ndryshe prej asaj të diele. Gjithçka do të ishte ndryshe nëse grupi kriminal dhe planet e tyre për aneksim të 4 komunave në veri nuk do të neutralizoheshin që në aktin e parë. Ata dështuan dhe kjo i ka bërë shumë të dëshpëruar. Dokumentimi para syve të botës i përfshirjes së të paktën 4 shtresave shteti serb, përkatësisht Presidencës, shërbimit të Inteligjencës, Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë serbe në frymëzimin, përgatitjen dhe pjesëmarrjen në sulmin terrorist në Banjskë, janë motiv shtesë për skenarë të tjerë destabilizuar. Lirimi i Radoiçiqit më pak se 24 orë pas arrestimit është dëshmi dhe sinjal i potencialit për rigrupim dhe hakmarrje, sepse më 24 shtator, Beogradi zyrtar dhe militar dështoi. Institucionet tona të sigurisë dhe inteligjencës së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimeve të sulmeve të dhunshme nga grupe të strukturave kriminale serbe në Kosovë. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për ta arritur këtë, nuk kanë vënë çmim tamam, nuk do të zgjedhin mjet. Fatkeqësisht mbështetja që grupi terrorist ka marrë nga Serbia në njërën anë duke i trajtuar ata si heronj dhe martirë dhe në anën tjetër duke intensifikuar aktivitetet e ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën, vetëm sa i ka inkurajuar. Provuan të ndryshojnë realitetin në terren përmes veprimeve të organizuara dhe koordinuara paramilitare, nuk ia arritën. Keqpërdorën Manastirin e Banjskës me synimin që t’i japin ngjyrim fetar zhvillimeve të 24 shtatorit, sërish nuk ia arritën. Tani formacione kriminale të sponsoruara nga Serbia, në skenar të tyre detabilizues ka shumë gjasa që dallimet etnike synojnë ti keqpërdorim për qëllimet e tyre politike”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Kurti u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës, që të jenë të vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur nga siç ka thënë nga cytjet dhe aktet e dhunës të inskenuara dhe dashakeqe.
“Ju bëj thirrje veçanërisht juve të nderuar bashkëqytetarë serbë që ditëve, muajve dhe javëve në vijim të jeni të vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur nga cytjet dhe aktet e dhunës të inskenuara dhe dashakeqe. Në Kosovë të gjithë jemi qytetarë të barabartë sepse shteti është ligjor dhe shoqëria demokratike. Nuk ka komunitete të padëshiruara, të gjithë jetojnë e punojnë bashkë kudo në Kosovën tonë të dashur e proevropiane. Ata që po duan të na rrënojnë, nuk do t’ia dalin sepse jemi të përgatitur, sepse jemi bashkë, me motiv të lartë e synime fisnike për paqe e siguri, për të drejta e demokraci. Kosova është shtet i sigurt sipas indeksit global të krimit të organizuar, Kosova ka shkallën më të ultë të kriminalitetit nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”, është shprehur kryeministri Kurti. /Reporteri