Kurti paralajmëron dëme në dialog nëse ai përzihet me procesin drejt KiE-së

0
166

Dëme të pariparueshme në dialog e në Këshillin e Evropës si institucion do të shkaktojë përzierja eventuale e dy proceseve, sipas kryeministrit Albin Kurti.

Në takimin që të hënën ka zhvilluar me ambasadorë e përfaqësues të QUINT-it e BE-së në Kosovë, Kurti ka folur edhe për kushtin e ri për anëtarësimin në Këshillin e Evropës – dërgimin e draftstatutit për shqyrtim në Kushtetuese.
Kryeministri Albin Kurti ka kundërshtuar vendosjen e kushteve të reja për Kosovën para votimit final për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Pas takimit me përfaqësues të QUINT-it e të BE-së në Kosovë, Kurti ka thënë se kanë plotësuar të gjitha kushtet e vendosura dhe çdo kërkesë tjetër është në shpërputhje me votimin në Asamblenë Parlamentare.

Ai ka kërkuar që çështja e dialogut të mos përzihet me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Kryeministri kujtoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg; se procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës është çështje e respektimit të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlera këto që Republika e Kosovës i përqafon. Këto dy procese nuk duhet të përzihen pasi nuk e ndihmojnë njëra-tjetrën. Në rast se këto përzihen, kjo do t’i bënte dëm të pariparueshëm në njërën anë dialogut në Bruksel dhe në anën tjetër Këshillit të Evropës si institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Ditë më parë Gjermania e Franca kanë kërkuar dërgimin e draftstatutit të BE-së për shqyrtim në Kushtetuese, në mënyrë që Kosova të kalojë me sukses votimin për anëtarësim në KiE.

Në takimin me përfaqësues diplomatikë, kryeministri ka theksuar se pika që lidhet me Asociacionin e komunave me shumicë serb nuk duhet të vendoset prioritet.
Ka shtuar se draftin e BE-së për statutin e Asociacionit nuk e ka pranuar si të ndarë nga pakoja e Marrëveshjes së Brukselit e Aneksit të Ohrit.

“Kryeministri theksoi se neni 7 i Marrëveshjes Bazike nuk mund të nxirret nga pakoja e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit në Ohër dhe nuk duhet të vendoset si prioritet dhe në qendër. Ai (kryeministri) kujtoi se më 26 tetor u refuzua oferta për t’u nënshkruar Marrëveshja në pako që do t’i hapte rrugë zbatimit të plotë të Marrëveshjes, duke përfshirë nenin 7 të saj ndërlidhur me nenin 10. Në këtë drejtim kryeministri e ritheksoi se dokumenti i ofruar si draftstatut nga Lajçaku për zbatimin e nenit 7 ndërlidhur me atë 10 nuk është pranuar më 26 tetor vitin e kaluar në Bruksel”, thuhet në njoftim.

Votimi në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës është hapi i fundit i anëtarësimit eventual të Kosovës në këtë organizatë.
Ndonëse një takim i Komitetit është paralajmëruar për 16 dhe 17 prill, votimi i aplikimit të Kosovës nuk është konfirmuar ende nëse do të jetë në rend të ditës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here