Kurti: Pagën minimale do ta bëjmë 264 euro

0
317

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar të martën se pagën minimale nga 170 euro sa është tani, do ta bëjnë 264 euro, por për këtë duhet të pajtohen në Këshillin Ekonomiko-Social.

Kurti këto komente i bëri gjatë vizitës në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Xhemail Mustafa”, në Prishtinë, të cilën e vizitoi me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Sindromës Down.

Kurti aty mori një pyetje edhe nga një nxënës i kësaj shkolle lidhur me pagat e vogla që kanë familjarët e personave me Sindromës Down. Kurti tha se duan ta rritin pagën minimale por nevojitet pajtim në Këshillin Ekonomiko-Social.

“Sa i përket pagës minimale, ne kemi thënë që atë do ta rrisim nga 130 përkatësisht 170 euro sa është tani, tash e një dekadë kanë dashur ta bëjnë 250 euro, por në fakt ne do ta bëjmë 264 euro. Por, për këtë duhet të merremi vesh në Këshillin Ekonomiko-Social”, u shpreh Kurti.

Propozimi për pagë minimale në vlerë të 264 eurosh në muaj ka dështuar të miratohet në Këshillin Ekonomik Social, pati njoftuar ministri i Financave Hekuran Murati në një shkrim në Facebook më 10 mars. Murati ishte shprehur se KES ka propozuar pagë minimale prej 240 eurosh në muaj, ndërsa Qeveria ka propozuar 1.5 euro për orë, apo 264 euro në muaj. Sipas Muratit, propozimi s’i ka marrë votat e nevojshme për shkak të mosmbështetjes nga përfaqësuesit e sindikatave.

Sindikatat kanë paralajmëruar që s’do të pranojnë asnjë pagë minimale nën 350 apo 400 euro.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here