Kurti: Nuk mendoj që Asociacioni është thjesht një projekt, i cili ka pengesë vetëm kryeministrin

0
162

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Asociacioni ka pengesë kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, demokracinë dhe jo vetëm Kryeministrin. Lidhur me këtë çështje, ambasada e SHBA-së në Kosovë do të organizojë një diskutim për të cilin Kurti ka thënë se nuk ka pranuar ftesë.

Kurti ka thënë se Kosova ka nevojë urgjente për njohje reciproke me Serbinë dhe se të gjithë ata që flasin për Asociacionin përderisa Serbia nuk njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës, e ndihmojnë atë.

“Nuk mendoj që Asociacioni është thjesht një projekt, i cili ka pengesë vetëm kryeministrin. E ka pengesë kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, demokracinë, popullin e Kosovës dhe unë nuk besoj që Kosova e ka nevojë urgjente një Asociacion të tillë. Kosova ka nevojë urgjente për njohje reciproke me Serbinë. Ata të cilët flasin ditë e natë për Asociacionin ndërkohë kur Serbia të thotë se s’të njeh asnjëherë, për besë i ndihmojnë asaj. Nuk është fer [e drejtë] ndaj popullit shumë të vuajtur të Kosovës. Nuk mund të nxirret qerrja para kalit. Njohja reciproke është në qendër. Presidenti [Joe] Biden ka thënë normalizim i marrëdhënieve me marrëveshje që e ka në qendër njohjen reciproke. Është gabim i madh në diskursin politik dhe publik të hiqet njohja reciproke prej qendrës e aty të vendoset Asociacioni, siç po duket që po ngjan. Unë nuk mund ta pranoj këtë. Presidenti Biden ka dhënë udhëzime të tjera dhe ne do të duhej që shtetin tonë, atdheun tonë, ta duam edhe më shumë se presidenti Biden, jo më pak se ai”, ka deklaruar Kurti në një intervistë për REL,

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës ka konfirmuar diskutimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe që pritet të mbahet më datë 31 janar.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se nuk kishte pranuar një ftesë nga ambasada amerikane për diskutimin e thirrur nga ajo.

“Unë nuk jam ftuar në atë takim, por ata që janë ftuar, le të shkojnë në atë takim dhe le ta diskutojnë. Por, po e ritheksoj, nga 33 marrëveshjet e Brukselit nuk bën të zgjidhet njëra sepse nuk ka hierarki”, ka deklaruar Kurti.

Deri tani, pjesëmarrja është konfirmuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nenad Rashiq, ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë Kurti.

Ishte 13 dhjetori i vitit të kaluar kur i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se Asociacioni do të formohej duke përmendur edhe “partnerët alternative”.

Se kush mund të jenë partnerët alternativë, Kurti ka thënë se do ishte më mirë që për këtë të përgjigjej vet Escobar.

Ishte 20 janari i këtij viti kur i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas takimit me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga emisarët e tjerë ndërkombëtarë ka thënë se ka pritur mirëkuptim të mundësisë që jep propozimi i BE-së, teksa ka shtuar se shpreson të shfrytëzohet potenciali i këtij propozimi.

Ndryshe, të premten e 20 janarit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, të shoqëruar nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, ai i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe Francesco Talo, këshilltar i kryeministres së Italisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here