Kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës së tij në dy komunat shqiptare të Maqedonisë së Veriut, Tetovë e Çair, ka folur kryesisht për projektet infrastrukturore që do t’i lidhin Tetovën e Prizrenin. Për këtë rrugë, Kurti bëri thirrje që të intensifikohen punimet.
Por, ai dha edhe disa mesazhe politike para tetovarëve në mbrëmje gjatë një tubimi ku kryeministri kosovar mbajti një fjalim.
Kurti atje tha se Maqedonia e Veriut duhet të jetë larg Serbisë, e më afër Kosovës.
“Aleanca veriatlantike NATO’ja, Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar janë platforma vlerore e cila na sjell mbrojtje e siguri sidomos në këtë kohë kur imperializmi rus e riktheu luftën në kontinentin tonë europian. Maqedonia e Veriut, sa më afër Kosovës, Shqipërisë dhe Bullgarisë e sa më larg Serbisë, e cila nuk po distancohet as nga Milosheviqi e as nga Putini – aq më afër ajo, aq më afër Maqedonia e Veriut do të jetë anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe aq më i sigurt do të jetë rajoni i ynë i Ballkanit. E për këtë ne duhet ta ndihmojmë dhe duhet ta përkrahim Maqedoninë e Veriut”, tha Kurti.
Për rrugën Prizren-Tetovë, Kurti tha se vonesat janë të paarsyeshme.
“Nuk është kosto e lartë, ndërkaq përfitimi është i jashtëzakonshëm. Andaj vonesat për këtë aks infrastrukturor janë të paarsyeshme dhe janë të dëmshme e unë po kërkoj ndihmën e gjithë juve dhe secilit prej ju që jeni këtu e që po na ndjekin, tash ose më vonë, që bashkërisht të mobilizohemi e të aktivizohemi që të mos humbet asnjë ditë pa punuar për këtë aks rrugor që lidh Prizrenin dhe Tetovën”.
Ndërkaq, gjatë ditës Kurti, derisa mori pjesë në përurimin e rrugës që lidh fshatin Sellcë me fshatin Vicë të Tetovës, tha se zhvillimi ekonomik dhe ndërtimi i infrastrukturës nuk duhet të jetë i rezervuar për zonat urbane, për qytetet e qytezat, por duhet të jetë edhe zhvillim rural.
“Në bazë të llogaritjeve, parallogaritjeve të cilat janë bërë nuk është një kosto shumë e lartë, është e përballueshme, por kthimi në këtë investim është i jashtëzakonshëm meqenëse shkurtohet rruga, fitohet koha dhe përfitojnë edhe qytetarët edhe ekonomia. Aksi që lidh Prizrenin me Tetovën është marrëveshje midis dy qeverive tona nga mbledhja e përbashkët e nënshkruar nga dy kryeministrat, pra nga unë dhe nga homologu im maqedonas, Kovaçevski. Andaj, dëshirojmë që ky studim fizibiliteti të pasohet sa më shpejt me punimet dhe me realizimin e këtij projekti madhor i cili është rajonal dhe ndihmon shumë në zhvillimin e të dyja vendeve tona”, tha ai./Express/