Kurti: Në veri është ulur ilegaliteti, janë ngritur 9 stacione policore për kontrollin e kufirit

0
147

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në trevjetorin e qeverisjes, ka thënë se ka më shumë sundim të ligjit dhe se sipas tij korrupsioni po luftohet.

Teksa ka folur për qeverisjen e tij, Kurti po ashtu ka thënë se në veri të vendit është ulur ilegaliteti e po shtohet ligjshmëria e siguria.

Ai ka shtuar se janë mbyllur 27 rrugë ilegale, janë shkatërruar 9 laboratorë droge, 6 të kriptovalutave dhe 4 depo të armatimit.

Kurti ka thënë se janë sekuestruar alarme e kamera të strukturave ilegale, armatim e asete në vlerë prej 15 milion euro nga hetimet mbi sulmin në Banjskë.

“Në veri të vendit është ulur ilegaliteti, e po shtohet ligjshmëria dhe siguria. Janë mbyllur 27 rrugë ilegale, dhe janë shkatërruar 9 laboratore droge, 6 të kriptovalutave dhe 4 depo të armatimit. Janë sekuestruar alarme e kamera të strukturave ilegale, dhe armatim e asete në vlerë rreth 15 milionë euro nga hetimet mbi sulmin terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit, ku humbëm rreshterin shembullor Afrim Bunjaku por fituam një Hero të Kosovës dhe dolëm fitues e faqebardhë. Atje tash janë ngritur 9 stacione policore për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit, e nuk kishte asnjë deri në vitin 2021. Pas 24 vjetëve në komunat veriore janë hapur e funksionalizuar zyrat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës dhe të Kadastrave Komunale në shërbim të qytetarëve dhe të bizneseve të ligjshme. Me largimin e targave ilegale, siguria publike është më e mirë. Po shtrohen rrugë që lidhin fshatrat mes vete në veri e me komuna në jug, po ndërtohen e rinovohen shtëpi të banorëve, e po modernizohet infrastruktura e telekomunikimit dhe internetit për shërbimet 4G+ dhe 5G.Qeverisje e sundimit të ligjit, e të gjithëve, pa dallim.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here