Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohet më 18 gusht me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, ku temë e nxehtë pritet të jetë çështja e Asociacionit të Komunave serbe. Dy ditë para këtij takimi të shumëkomentuar, Kurtit nga SHBA-ja i ka ardhur një ‘përshëndetje’ nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken.
Pak më parë, Kurti ka njoftuar se sot ka pasur një bisedë telefonike, siç e quan ai “të frytshme”, me këshilltarin e Departamentit të Shtetit Derek Chollet.
Kurti ka thënë se me Chollet ka biseduar lidhur me dialogun me Serbinë, duke u fokusuar te nevoja për arritjen e një marrëveshjeje të qendërzuar në njohje reciproke.
Gjitashtu, Kurti ka theksuar Chollet ka përcjellur përshëndetjet e Sekretarit Blinken pas një takimi që e kishin muajin e kaluar në Uashington.
“Një bisedë e frytshme telefonike me këshilltarin e Departamentit të Shtetit (Derek Chollet), lidhur me shumë çështje, përfshirë dialogun me Serbinë; rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje të qendërzuar në njohje reciproke. Ai përcolli përshëndetjet e Sekretarit Blinken pas takimit tonë të mrekullueshëm në Uashington në muajin e kaluar”, ka shkruar Kurti.
Duke i paraprirë takimit në Bruksel me Vuçiqin, Kurti ka deklaruar se është negociator i ashpër, porse i respekton marrëveshjet e arritura, ndërkohë që liderët serbë takimit po i paraprijnë me deklarata mosbesuese ndaj Kurtit, duke ngritur dyshime mbi qëllimet e tij paqësore në rajon.