Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vetmenaxhimi i komunitetit serb nuk është i barazvlefshëm me Asociacion të Komunave me shumicë Serbe, teksa ka komentuar deklarimet e emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak rreth zbatimit të marrëveshjeve për Asociacionin.
I pyetur rreth deklarimeve të Lajçak se vetmenaxhimi nënkupton krijimin e Asociacionit, Kurti tha sot në një konferencë për media në Prishtinë se ato nuk janë e njëjta gjë.
Kurti, fillimisht theksoi se dialogu me Serbinë nuk është prioritet i qeverisë së tij.
“Së pari, më lejoj të ju korrigjoj se nuk është prioritet në angazhimet e mia as për nga vëllimi, e as për nga intensiteti. Ju nuk e dini se çka bëj unë gjithë ditën, por nëse shihni angazhimet e mia për shëndetësi, për ekonomi, për arsim, për infrastrukturë, për financat, për pakicat e tjera, për komunat, angazhimet ndërkombëtare për marrëdhëniet bilaterale me shtetet e tjera, vëllim gjigand është i punës kjo. Prandaj, edhe njëherë po e them se nuk është [dialogu, v.j] top prioritet siç e konstatuat ju”, tha Kurti.
Ai tha se vetmenaxhimi dhe asociacioni “nuk janë krejt të palidhura me njëra-tjetrën”, por pohoi se ato nuk nënkuptojnë të njëjtën gjë.
“E dyta: Në pikën 7 të Marrëveshjes Bazë thuhet ‘një nivel adekuat i vetmenaxhimit të komunitetit serb. Thuhet komunitetit. Nuk thuhet komunat. Komuniteti nuk është kategori territoriale. Komunat janë njësi territoriale dhe administrative. Nuk janë e njëjta gjë. Unë e kuptoj se nuk janë krejt të palidhura me njëra-tjetrën, por nuk janë e njëjta gjë”, tha kryeministri. “Nuk bën të barazohet fjala komunitet, me fjalën komunë, e as me fjalën asociacion. Ashtu siç nuk bën të barazohet fjala popull, me fjalën republikë. Unë, edhe një herë po e them, nuk janë tërësisht të pavarura. Nuk janë të ndara prej njëra-tjetrës në mënyrë absolute, por janë larg prej të njëjtës gjë”.
Në një intervistë që emisari Lajçak dha për Radion Evropa e Lirë dhe Euronews-in Serbi – të parën prej se Kurti dhe Vuçiq u pajtuan për të zbatuar Marrëveshjen e BE-së, më 18 mars në Ohër – ai nënvizoi se të dyja palët duhet t’i zbatojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Lajçak theksoi se Kosova e ka obligim që menjëherë të fillojë me zbatimin e pjesës së Marrëveshjes që lidhet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Dua të jem i qartë, Neni 7 nuk përfshin zotime të reja për Kosovën. Neni 7 flet për nevojën e zbatimit të asaj për të cilën Kosova dhe Serbia veçse janë pajtuar. Kjo nënkupton marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015, që flasin që themelimin e një lloj asociacioni të komunave me shumicë serbe. Përndryshe, kjo do të nënkuptonte Nenin 10, që thotë se të gjitha marrëveshjet e mëparshme, plus Nenin 7, pra aranzhime shtesë, që nuk do të kishte logjikë”, tha ai