Kurti: Kosova mbetet e palëkundur në rrugëtimin e saj krahas miqve dhe aleatëve amerikanë

0
175

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në pritjen shtetërore me rastin e shënimit të 16-vjetorit të pavarësisë së vendit, ka thënë se shteti i Kosovës mund të ec përpara dhe i sigurt vetëm me miq dhe aleatë, raporton Gazeta Sinjali.

Në fjalimin e tij, Kurti tha se sikur në ditët e çlirimit, në shpalljen e pavarësisë dhe tani në përvjetorin e 16, Kosovës i kanë qëndruar pranë miq dhe aleatë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet evropiane.

Sikur në ditët e çlirimit, në qershor 1999, ashtu edhe në ditën e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, sikurse edhe sot, në ditëlindjen e 16-të të Republikës sonë të pavarur, Kosovës i kanë qëndruar pranë miq dhe aleatë që udhëtuan bashkë me ne dhe krah nesh, si në kohë të vështira, ashtu edhe në momente festive e përkujtimi sikurse sot. Si dikur më 1999, si atëherë më 2008, si sot më 2024, Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet e palëkundur në rrugëtimin e saj bashkë dhe krahas me miq dhe aleatë amerikanë, që ndonëse nga përtej Atlantikut, janë afër dhe evropianë të kontinentit tonë të përbashkët. Me miq dhe aleatë ne jemi më të fortë dhe më të sigurtë. Bashkë kemi ardhur deri këtu dhe bashkë do të vazhdojmë edhe më tutje për të përparuar për atje ku jemi nisur, në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Vetëm kështu me miq të fortë dhe aleatë, Kosovë ne kështu të dalim zot”, tha Kurti ndër të tjera në fjalimin e tij.

Kujtojmë se ky përvjetor i pavarësisë, e gjen Qeverinë e Kosovës me raporte të acaruara me SHBA-në.

Kjo pasi zyrtarë të lartë amerikanë gjatë ditëve të fundit kritikuan Qeverinë e Kosovës për mospërfilljen e kërkesës amerikane për shtyrje të vendimit për zbatim të shpejtë të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që ndalon dinarin serb si mjet ligjor pagese në Kosovë.

Ata e cilësuan këtë si vendim të njëanshëm që mund të prodhojë pasoja edhe në partneritetin me SHBA-në.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, të martën ka thënë se Shtetet e Bashkuara mund të mos e trajtojnë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, pas vendimit për ndalimin e dinarit.

O’Brien tha se Kosova duhet ta pezullojë vendimin e BQK-së menjëherë dhe të punojë si “shtet modern evropian” për gjetjen e një zgjidhjeje të “këtij problemi konkret”.

Njerëzit duhet ta dinë se si do t’i paguajnë faturat. Kur lexoj deklaratën e Bankës Qendrore, aty nuk thotë se do ta lejohet përdorimi i dinarit. Thotë se do të ofrohet një alternativë. Kjo duhej bërë para se të zbatohej vendimi në bashkëpunim me komunitetet e prekura dhe me fqinjët që preken nga vendimi dhe sinqerisht me Bashkimin Evropian dhe me ne”, tha O’Brien.

Ndërsa, gjatë javës Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, në një konferencë për media ka përsëritur thirrjen që Kosova ta shtyjë vendimin për dinarin, rregullore kjo e marrë nga Banka Qendrore e Kosovës.

Hovenier tha se çështja për dinarin serb ka ndikuar në partneritetin mes të dyja vendeve.

O’Brien e bëri të qartë që nëse Kurti nuk na trajton si partnerë, e vë në pikëpyetje se sa partnerë mund të jemi ne me këtë Qeveri. Unë dëgjuar se është thënë se marrëdhëniet SHBA-Kosovë nuk janë ndikuar dhe nuk mund të ndikohen nga kjo situatë, por duhet të jem i qartë që kjo nuk është e vërtetë. Kjo situatë ka prekur partneritetin tonë. Çdo shpjegim tjetër është keqkuptim”, ka thënë ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here