Kurti: Kosova dhe Maqedonia e Veriut s’kanë mosmarrëveshje, sot po e avancojmë progresin

0
38

Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut “nuk kanë mosmarrëveshje” që në nisje të mbledhjes së përbashkët të qeverive, që po mbahet në Prishtinë.

Kurti tha se është “kënaqësi dhe nder” që e priti kryeministrin maqedonas dhe anëtarët e kabinetetit qeveritar të RMV.

“Më lejoni ta fillojë këtë takim duke theksuar një pikë të rëndësishme: Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut nuk kanë mosmarrëveshje. Kemi komunikim të hapur dhe bashkëpunim të gjerë. Ne jemi fqinj, miq dhe partnerë të lidhur jo vetëm përmes tregtisë që është çdoherë në lidhje, por edhe përmes lidhjeve mes familjeve e bizneseve tona që po forcohen përherë e më shumë”, tha ai.

Kurti tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë mbi 50 marrëveshje dhe memorandume të nënshkruara, të cilat tha se “na kanë afruar edhe më shumë me njëri-tjetrin”. “Por ajo ku duhet të theksojmë më shumë është zbatimi i tyre i plotë dhe i përpiktë”, shtoi ai.

Kryeministri tha se në mbledhjen e sotme do të “avancohet tutje” ky progres.

“Sot këtë progres do ta avancojmë tutje duke nënshkruar edhe dy memorandume dhe një protokol në fusha të rëndësishme sikurse energjia, arsimi dhe lehtësimi i lëvizjes së lirë”, tha ai.

Ndërsa foli për “marrëdhënie të mira midis dy vendeve tona”, tha se këto :reflektohen edhe në rritjen e vazhdueshme të tregtisë”.

Ai tregoi rezultatet që tha se do të dalin nga mbledhja e sotme e Qeverisë.

“Një nga rezultatet kryesore të takimit të sotëm, do të jetë edhe nënshkrimi i protokollit teknik, që del nga marrëveshja për kalimet e përbashkëta kufitare. Duke filluar nga janari i vitit 2025, në dy pika kufitare, Hani i Elezit – Bllacë dhe Jazhincë – Glloboçicë do të zbatohet modeli hyrje-hyrje ku zyrtarët tanë të Policisë do të punojnë së bashku në një ndërtesë. Ky bashkëpunim do të reduktojë kohën e pritjes në kufi dhe do të lehtësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë”, tha ai.

“Po e përmirësojmë edhe infrastrukturën kufitare dhe po ndërtojmë rrugë të reja që forcojnë lidhjet mes qytetarëve”, shtoi Kurti.

Ai përmendi edhe “jetësimin e tunelit” që e lidhë Prizrenin me Tetovën.

“Mirëpresim përfundimin e ndërtimit të autostradës nga Bllaca për në Shkup. Më në fund. 10 kilometrat e mbetur, që do të lidhte rrjetin e autostradave në Maqedoninë e Veriut me autostradën Arbën Xhaferi në Kosovë dhe së bashku të angazhohemi për jetësimin e tunelit që e lidhë Prizrenin me Tetovën, angazhim ky tashmë i marrë”.

Zgjerimi dhe përmirësimi i rrugëve që i lidhin dy vendet, Kurti tha se “është detyrë edhe ndaj kërkesës ekonomike”.

Që nga takimi i parë ndërqeveritar në shtator të vitit 2021, Kurti tha se “kemi bërë përparime në siguri dhe mbrojtje si dhe në arsim, kulturë, shëndetësi e mjedis”, por shtoi se “është koha që të bëjmë edhe më shumë, dhe më shpejt”.

“Sot më shumë se kurrë bashkëpunimi në çështje të sigurisë është i rëndësishëm. Krimi i organizuar dhe ndërhyrjet nga aktorë të këqinj përbëjnë kërcënim për vendet tona dhe rajonin. E këto sfida edhe mund t’i adresojmë bashkë në mënyrë efektive, e edhe mund t’i tejkalojmë përmes angazhimit të përbashkët”, tha Kurti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here