Kryeministri Albin Kurti ka thënë se mbështetja e qeverisë do të jetë e padiskutueshme ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës duke thënë se së shpejti Kosova do të ketë edhe helikopterët “Black Hawk”.
Kurti tha se gjatë mandatit katër vjeçar kanë dyfishuar numrin e ushtarëve të rinj si dhe kanë investuar në armatim luftarak.
“Mbështetja jonë do të jetë vazhdimësi e mbështetjes katër vjeçare që kemi bërë deri tani. Përgjatë këtij mandati kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, kemi rekrutuar 2315 ushtarë të rinj të cilëve do të ju shtohen edhe 390 ushtarë të tjerë në muajt e ardhshëm, në total 2705 ushtarë. Kemi investuar në armatim në vlerë prej 319 milionë duke blerë dronët luftarak Bajraktar, sistemin raketor anti-tank, dhe së shpejti do t’i kemi edhe helikopterët ‘Black Hawk’ (Skifterët e zi) në inventarin e ushtrisë. Kemi vendosur themelin e industrisë së mbrojtjes me fabrikën për prodhimin e municionit Made in Kosova, e të gjitha këto sipas standardeve të vendeve të NATO-s”, tha ai.
Kurti gjithashtu u shpreh se rekrutët e rinj gjatë nëntë javëve të stërvitjes kanë treguar përkushtim.
Ai po ashtu tha se diplomimi i rekrutëve është shumë i veçantë për faktin se ndodh pikërisht në muajin e lavdisë kombëtare.
“Muajin mars nis me Epopenë e UÇK-së dhe përmbyllet me ndërhyrjen e NATO-së në Kosovë. Më 5,6 dhe 7 mars qëndresa fisnike e familjes Jashari dhe lufta çlirimtare e udhëhequr nga kryekomandanti Adem Jashari shënon kthesë historike për popullin tonë në rrugën drejt lirisë. U dëshmua se kulla është më e fortë se atdheu, dashuria për atdheun është më e fortë se gjenocidi i Serbisë…nënshtrimi dhe dorëzimi nuk ishte opsion, prandaj fitorja ishte rezultati. Kjo fitore kulmoi me 24 mars 1999 falë aleatëve tanë”, ka thënë Kurti.
Kurti tha se diplomimi i rekrutëve sot vjen si kapitull i ri pas lavdisë së UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s.
“Vjen si vazhdim i amanetit për mbrojtje e atdheut dhe kontributit për paqe”, u shpreh Kurti.