Ministrat për Çështje Evropiane, nga Trekëndëshi i Vajmarit, lëshuan sot një komunikatë të përbashkët për shtyp, ku u deklaruan mbi disa çeshtje parësore në BE dhe Evropë.
Ndër të tjerash, presidenti gjerman, francez dhe ai polak, vlerësuan edhe nevojën e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Këtë deklaratë e ka mirëpritur kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se pret me padurim vizitën e përbashkët të këtyre krerëve shtetërorë.
“E mirëpres riafirmimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, përkushtimin e qartë për zgjerimin e BE-së, Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal nga Ministrat për Çështje Evropiane të Trekëndëshit të Vajmarit (Gjermania, Franca, Polonia). Pres me padurim vizitën e tyre të përbashkët” shkroi Kurti në Twitter.
Në komunikatën e lëshuar nga Trekëndëshi i Vajmarit u bë thirrje edhe për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe bashkëpunim rajonal.
“Ne bëjmë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën. Vendet tona janë të përkushtuara fuqishëm ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor; ne theksojmë rëndësinë e zbatimit të vendimit historik nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të krijuar një treg të përbashkët rajonal” thuhet në deklaratë./Indeksonline/