Kurti falënderon ambasadorin e Turqisë për dërgimin e ushtarëve në KFOR

0
193

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.

Në këtë takim është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale dhe për mundësitë e thellimit dhe rritjes së bashkëpunimit në sfera të interesit reciprok.

Kurti, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, i shprehu ambasadorit falënderimin e tij për kontingjentin e ri prej afër 500 ushtarëve turq në KFOR, duke cilësuar se kjo i kontribuon sigurisë dhe paqes në Kosovë.​

Trupa e Turqisë të misionit të NATO-s në Kosovës, KFOR janë parë sot në Zubin Potok, në afërsi të objektit komunal të këtij qyteti, i cili deri më sot është siguruar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës, por që në afërsi ka pasur edhe pjesëtar të misionit.

Prej 29 majit, serbët lokalë të komunat veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

Më 29 maj, situata është përshkallëzuar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me pjesëtarë të KFOR-it.

Për pasojë janë plagosur 30 pjesëtarë të forcës paqeruajtës dhe 52 serbë.

Vetë shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka dënuar rëndë dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Dhuna e ka nxitur NATO-n që të angazhojë 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë në këtë shtet.

Në anën tjetër, situata u tensionua tutje edhe pas arrestimit të Millun Millenkoviq i njohur si Llune më 13 qershor nga Policia e Kosovës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here