Kurti e vazhdon deeskalimin, nga nesër i tërheq edhe 25 përqind të policëve te komunat në Veri

0
175

Më 10 korrik në Bratisllavë kryenegociatori Besnik Bislimi dhe emisari i BE-së Miroslav Lajçak u dakorduan për katër hapat që do të ndiqen për t’u ulur tensionet në Veri. Hapi i parë dhe i dytë kanë të bëjnë me reduktimin e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale.

Përveç 12 korrikut kur nisi reduktimi i 25 përqindshit të parë, nesër do të nisë edhe largimi i 25 për qind të policëve të tjerë në dhe rreth ndërtesave komunale.

Këtë e konfirmoi sot Policia e Kosovës përmes një komunikate për media, duke njoftuar se kanë mbajtur një takim me EULEX-in dhe KFOR-in.

“Policia e Kosovës në vazhdën e realizmit të detyrave dhe autorizimeve të saja kushtetuese dhe ligjore në interes të sigurisë publike në vend, si dhe me qëllim të zbatimit të dakordimeve të arritura në Bratisllavë me 10 korrik 2023, në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, saktësisht hapit dy të këtij dakordimi, me këtë rast është mbajtur takimi punues mes Policisë së Kosovës, EULEX dhe KFOR për vlerësim të situatës së sigurisë, në dhe përreth ndërtesave komunale të komunave veriore. Sipas vlerësimit të përbashkët, nga Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë. Në kuptim të këtij konstatimi të përbashkët, nga nesër fillon zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25%, në dhe përreth objekteve komunale në veri”, thuhet në komunikatë.

PK ka thënë se ekipet e Policisë së Kosovës bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in, do të vijojnë koordinimin dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në dhe përreth objekteve komunale, në komunat veriore.

Hapi i tretë për deeskalimin e situatës është mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore “pas stinës së verës”, ndërsa hapi i katërt ka të bëjë me finalizimin e planit të sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit.

Situata në Veri u tensionua pasi u futën në ndërtesat komunale kryetarët e rinj që fituan në zgjedhjet e 23 prillit. Lulzim Hetemi qysh prej 29 majit ndodhet brenda objektit të komunës së Leposaviqit, ndërsa njëjtë është raportuar edhe për Erden Atiq. Ndërkaq, në anën tjetër, dy kryetarët nga radhët e PDK-së, Izmir Zeqiri në Zubin Potok dhe Ilir Peci në Zveçan, kanë vazhduar punën e tyre nga objekte alternative.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here