Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentja e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) Odile Renaud-Basso kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi.
Siç ka bërë të ditur Kurti në rrjetin social ‘X’, palët kanë nënshkruar një marrëveshje 400 milionë euroshe për financimin e investimeve për sektorët prioritarë mes 2024-2027.
Postimi i plotë i tij:
“Partneriteti i Kosovës me @EBRD është më i fortë se kurrë. Sapo nënshkruam një MM me Presidenten @OdileRenaud për 400 milionë euro në financimin e investimeve për sektorët tanë prioritarë për 2024–27 – më shumë se 340 milionë euro në kredi dhe grante sovrane gjatë gjithë 11 viteve që kur Kosova u bë një Shtet Anëtar”, shkroi Kurti.
Në Samitin për investime në Ballkanin Perëndimor, të mbajtur në Londër, Kurti u pyet për partneritetin tregtar me shtetet që nuk e njohin Kosovën. Ai tha se një nga to është Rusia, me të cilën, Kosova, sipas tij, nuk do partneritet.
“Partnerja jonë kyçe tregtare është BE-ja dhe ne duam që ta forcojmë dhe thellojmë këtë bashkëpunim”, tha Kurti në samitin e organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
“Ne nuk kemi raporte me Federatën Ruse, ne i kemi vendosur sanksione Federatës Ruse. Ne duam që Ukraina të fitojë dhe na duhet e gjithë Evropa demokratike dhe bota të shohim Kremlinin dhe presidentin despotik [Vladimir] Putin të mposhtur. Nuk jemi duke bashkëpunuar me ta, edhe nëse ata do të donim, ne nuk duam. Kemi disa importe nga Kina, por shtetet e BE-së janë partneret tona kyçe tregtare”, shtoi ai.
Gjatë panelit të diskutimit, ku morën pjesë gjashtë kryeministrat e shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor u tha se përmirësimi i infrastrukturës rrugore, hekurudhore e detare, tranzicioni në energji të gjelbër, por edhe zbatimi i reformave për përmirësimin e mjedisit biznesor janë tri prioritetet kyçe të këtyre shteteve, sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja.