Kurti del kundër propozimit opozitar, kërkon këtë datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare

0
279

Presidentja Vjosa Osmani tha dje se partitë politike kanë kohë deri sot të dërgojnë çështjet shtesë që kanë për të caktuar datën e zgjedhjeve.

Ajo ka thënë se kanë marrë përgjigje nga shumica e partive politike, duke shtuar se edhe VV-ja ka dërguar propozimin e saj për datën e zgjedhjeve.

Gazeta Sinjali ka mësuar nga burimet e saja në Presidencë se Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka kërkuar që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 2 shkurt të vitit 2025.

Ndryshe nga partia në pushtet, PDK, LDK e AAK kanë kërkuar 26 janarin e vitit 2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Të gjitha partitë i kanë ngritur çështjet e tyre, por në fund është diskrecion i institucionit të Presidencës për ta zgjedhur datën që ne e vlerësojmë që është me e përshtatshme, të them sinqerisht nuk ka dallime një javë më shumë, një javë me pak, besoj që nuk bënë diferencë të madhe”, tha dje presidentja.

Osmani njoftoi se sot pas përfundimit të afatit që ka paraparë Presidenca për pranimin e çështjeve shtesë, kabineti i saj dhe ekipi ligjor do të diskutojë për datën më të mirë për mbajtjen e zgjedhjeve në vend.

Viti 2025 do të jetë vit i rregullt zgjedhor, atëherë Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti do të bëhet Qeveria e parë që nga shpallja e pavarësisë, që do të përfundojë mandatin e plotë katërvjeçar.

Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kishin kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here