Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dalja e ulët e qytetarëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore të vendit është si pasojë e atmosferës së frikësimit dhe shantazhit nga Serbia.
“Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri. I falënderoj qytetarët për kurajon dhe qetësinë”, ka thënë Kurti.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, i ka falënderuar të gjithë menkanizmat që e kanë mundësuar mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve.
“Zgjedhjet për kryetar në katër komunat veriore të Kosovës dhe për kuvendet komunale në dy sosh, dje u zhvilluan qetë dhe pa incidente. Falënderoj KQZ-në për organizimin, policinë e Kosovës për sigurinë dhe qytetarët për mbështetjen”.
Ndër tjera, ai shtoi se sistemi institucional dhe shërbimet publike në komunat do të mund të funksionojnë më shumë e më mirë.
“Uroj kryetarët dhe asamblistët e zgjedhur dje. Ata duhet të punojnë me përkushtim dhe të shërbejnë pa dallim. Qeveria do t’i përkrahë e ndihmojë. Sistemi institucional dhe shërbimet publike do të mund të funksionojnë më shumë e më mirë. Për mirëqenien e qytetarëve dhe të drejtat e tyre”, ka shkruar Kurti./Klankosova.tv