Kur rinia shuhet para kohe

0
82

Alkoolisti

Ai nuk është plak. Nuk ka rrudha në fytyrë, por ka lodhje në sy. Nuk ka kaluar një jetë të tërë, por mban mbi vete peshën e saj. Alkoolisti i ri është tragjedia që ecën mes nesh pa zë, i fshehur pas buzëqeshjeve të rreme dhe justifikimeve të përditshme.

Fillon si shoqëri, si argëtim, si “vetëm një gotë”. Fillon për t’u ndjerë pjesë e grupit, për të harruar dhimbjen, stresin, boshllëkun. Por pak nga pak, gota nuk është më zgjedhje — bëhet nevojë. Dhe rinia, që duhej të ishte forcë, kthehet në dobësi.

Alkoolisti i ri humb ëndrrat para se t’i provojë. Humb miqtë, familjen, respektin për veten. Trupi i tij i ri lodhet si i një plaku, mendja mjegullohet, shpresa zbehet. Ai e di që po shkatërrohet, por varësia i flet më fort se arsyeja.

Dhimbja më e madhe nuk është vetëm ajo që ai i shkakton vetes, por ajo që u shkakton atyre që e duan. Prindërit që presin natën zgjuar. Motra, vëllezër që turpërohen dhe frikësohen. Një familje që shpreson çdo ditë për një kthesë që vonon. Dhe shokut i cili ka zemër dhe ndjen dhimbje për të por ai nuk e di.

Alkoolisti i ri nuk ka nevojë për gjykim. Ka nevojë për dorë të shtrirë, për mirëkuptim, për trajtim dhe shpresë.

Shkruan: Dr. Sc. Batjar Halili

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here