Në shoqërinë tonë, përqendrimi kryesor kur flitet për efektet e alkoolit bie zakonisht mbi dëmtimet në mëlçi dhe sistemin nervor. Por, një këndvështrim më pak i njohur dhe po aq i rëndësishëm lidhet me shëndetin oral, veçanërisht me ndikimin që alkooli ka mbi dhëmbët dhe mishrat e tyre.
Sipas Shkollës së Stomatologjisë të Universitetit të Pensilvanisë, alkooli nuk dëmton dhëmbët në mënyrë direkte, por përmes një sërë mekanizmash ndikon ndjeshëm në gjendjen e tyre dhe në shëndetin e përgjithshëm të gojës.
Goja e thatë – një nga efektet më të dukshme
Një nga lidhjet më të drejtpërdrejta midis alkoolit dhe shëndetit oral është goja e thatë, ose kserostomia. Alkooli vepron si diuretik, duke nxitur dehidratimin e trupit dhe si pasojë prodhimin e pështymës, që është thelbësore për pastrimin dhe mbrojtjen e dhëmbëve, e reduktuar ndjeshëm. Me pak pështymë, dhëmbët humbasin një nga mbrojtësit kryesorë natyrorë, duke u ekspozuar më shumë ndaj bakterieve dhe prishjeve.
Prishja e dhëmbëve, pasojë e konsumit të alkoolit
Një tjetër problem serioz është rritja e kariesit. Alkooli metabolizohet në sheqer që ushqen bakteret në gojë, ndërkohë që shumë pije alkoolike përmbajnë sheqer dhe acid, të cilat dëmtojnë smaltin e dhëmbëve. Pijet e gazuara dhe birra, vera e kuqe dhe e bardhë kanë acide që shkrijnë ngadalë sipërfaqen mbrojtëse të dhëmbëve, duke sjellë ndjeshmëri dhe dhimbje. Njerëzit me varësi nga alkooli janë më të rrezikuar për prishje të avancuar dhe humbje dhëmbësh, për shkak të grumbullimit të pllakës bakteriale.
Gingiviti dhe efektet e tij të rënda
Një tjetër problem i lidhur me alkoolin është dobësimi i sistemit imunitar, që e bën më të vështirë për organizmin luftimin e infeksioneve në gojë, siç është gingiviti, i njohur edhe si periodontiti. Kjo inflamacion i mishrave të dhëmbëve shkakton gjakderdhje, infeksion dhe tërheqje të mishrave, duke krijuar kushte për komplikacione serioze, që përfshijnë edhe rritjen e rrezikut për kancer, diabet, goditje në tru dhe sëmundje kardiake.
Si të mbrojmë dhëmbët nga efektet e alkoolit?
Ekspertët rekomandojnë disa masa të thjeshta por efektive për të mbrojtur shëndetin oral gjatë konsumimit të alkoolit:
1.Konsumoni alkool me masë dhe sigurohuni të jeni mirë të hidratuar për të luftuar dehidratimin dhe për të mbështetur prodhimin e pështymës.
2.Përdorni kashtën për të pirë pijen alkoolike, duke zvogëluar kontaktin e drejtpërdrejtë të alkoolit me dhëmbët.
3.Pas konsumimit të alkoolit, shpëlani gojën me ujë për të neutralizuar acidet dhe sheqernat, dhe për të stimuluar prodhimin natyral të pështymës.
4.Kujdesi i rregullt oral, përfshirë larjen e dhëmbëve dhe vizitat periodike tek dentisti, mbeten thelbësore për parandalimin e dëmtimeve.
Ndërsa shijojmë një gotë verë apo një koktej, nuk duhet të harrojmë se shëndeti i gojës është një pjesë kyçe e mirëqenies sonë të përgjithshme. Kujdesi dhe masat parandaluese janë çelësi për të mbajtur dhëmbët dhe mishrat të fortë dhe të shëndetshëm.