Ngërçet në këmbë janë të dhimbshme dhe të pakëndshme, por a mund të shkaktojnë realisht çarje të muskujve? Ja çfarë duhet të dini për shkaqet, simptomat dhe kur duhet të kërkoni ndihmë mjekësore
Ngërçi është një tkurrje e papritur dhe e pakontrolluar e muskujve, i cili ndodh kur nervat dërgojnë impulse të tepruara drejt qelizave muskulore. Më shpesh prek pulpat apo shputat e këmbëve, sidomos pas lodhjes, dehidratimit ose mungesës së mineraleve si magnezi, kaliumi dhe kalciumi.
Gjatë ngërçit, muskuli bëhet i fortë, i tendosur dhe shumë i dhimbshëm, por zakonisht relaksohet vetë pas disa sekondash ose minutash. Dhimbja mund të jetë aq intensive sa të zgjojë nga gjumi dhe të krijojë përshtypjen se muskuli do të çahet.
A mund të çojë ngërçi në çarje muskulore?
Në shumicën e rasteve, ngërçi nuk shkakton çarje të muskulit. Megjithatë, nëse tkurrja është shumë e fortë dhe përpiqemi të shtrijmë këmbën me forcë, mund të ndodhë shtrirje e tepruar ose edhe këputje e pjesshme e fibrave muskulore. Kjo haset më shpesh te sportistët, personat me qarkullim të dobët të gjakut ose ata që i ekspozojnë muskujt ndaj ngarkesave të menjëhershme, transmeton Telegrafi.

Simptomat e dallueshme të këputjes së muskujve janë:
▪ ndjesia e një “përplasjeje” ose “kërcitjeje” brenda muskulit,
▪ dhimbje e fortë dhe e vazhdueshme që përkeqësohet me lëvizje,
▪ ënjtje dhe mavijosje,
▪ vështirësi në mbështetjen mbi këmbë, madje edhe gropëzim i dukshëm në vendin e dëmtimit.
Si ta dalloni një ngërç nga një dëmtim serioz
▪ Ngërçi: qetësohet vetë, dhimbja largohet, nuk ka ënjtje apo ndryshime në lëkurë.
▪ Ruptura (këputja): dhimbja është konstante, shfaqen ënjtje, mavijosje dhe dobësim i funksionit të muskulit.
Nëse pas një ngërçi dhimbja nuk kalon, shfaqen ënjtje ose mavijosje, është e domosdoshme të konsultoheni me mjekun.
Pse ndodhin shpesh ngërçet gjatë natës
Ngërçet e natës prishin gjumin dhe cilësinë e jetës. Ato shpesh shfaqen papritur dhe përshkruhen si ndjesi sikur “muskuli është lidhur në nyje”. Shkaqet më të shpeshta janë:
▪ çrregullime të ekuilibrit të elektroliteve,
▪ qarkullim i dobët,
▪ qëndrimi i gjatë ulur ose në këmbë,
▪ lodhja e tepërt fizike,
▪ efekte anësore të disa barnave (diuretikë, statina, antiepileptikë),
▪ sëmundje kronike si diabeti, dështimi i veshkave ose sëmundjet e arterieve periferike.
Çfarë të bëni kur ju kap ngërçi
Nëse ndodh gjatë natës ose aktivitetit, veprimet më të dobishme janë:
▪ shtrirje dhe masazh i butë i muskulit,
▪ dush ose kompresa të ngrohta për relaksim,
▪ kompresa të ftohta në rast dhimbjeje ose ënjtjeje,
▪ ecje e lehtë nëse është e mundur.
Parandalimi përfshin hidratim të mjaftueshëm, ushqime të pasura me magnez dhe kalium (banane, arra, domate), aktivitet të moderuar fizik dhe ushtrime shtrirjeje para gjumit.
Kur duhet kërkuar ndihmë mjekësore
Duhet të konsultoheni me mjekun nëse:
▪ ngërçi zgjat më shumë se 10 minuta,
▪ dhimbja është e fortë dhe nuk qetësohet,
▪ shfaqen ënjtje, mavijosje apo deformime,
▪ vuani nga sëmundje kronike si zemra, veshkat ose diabeti.
Mbani mend! Ngërçet në këmbë janë zakonisht të padëmshme dhe kalimtare, por kur shoqërohen me dhimbje të vazhdueshme, ënjtje apo mavijosje, ato mund të jenë shenjë e një dëmtimi serioz muskulor. Reagimi i duhur është shtrirja e kujdesshme, masazhi, kujdesi për hidratimin dhe mineralet, dhe nëse ka dyshim – vizita te mjeku është e domosdoshme. /Telegrafi/