Kur injoranca bëhet vetëbesim – Efekti Dunning-Kruger në shoqërinë tonë dhe epokën e teknologjisë sociale

0
281

Në epokën e rrjeteve sociale, ku çdo individ ka një platformë për të ndarë mendimet e tij, fenomeni i Efektit Dunning-Kruger është më i dukshëm se kurrë. Ky efekt, që përshkruan tendencën e individëve me pak njohuri për të mbivlerësuar aftësitë e tyre, ka gjetur terren të frytshëm në shoqërinë tonë.

Teknologjia sociale dhe iluzioni i ekspertizës

Me fuqinë e internetit, njerëzit kanë qasje të menjëhershme në informacion, por shpesh pa mjetet kritike për të filtruar burimet apo për të kuptuar kompleksitetin e çështjeve. Në shoqërinë tonë, traditat kulturore historikisht nuk kanë inkurajuar shumë shprehjen e mendimit; përkundrazi, ka pasur një cenzurë të bazuar në moshë dhe pozitë sociale. Megjithëse kjo cenzurë nuk ka qenë gjithmonë e drejtë, ajo shpesh ka ruajtur një ekuilibër që parandalonte një shfrenim të ‘lirisë së shprehjes,’ i cili sot, në shumë raste, ka degjeneruar në ofendime dhe baltosje të çdo vlere të arritur. Rrjetet sociale e kanë zhbërë këtë barrierë, duke krijuar  hapësirë për një fluks të madh mendimesh të pakontrolluara dhe shpesh të pabazuara, çka ka bërë që diskursi publik të degradojë në masën që e shohim sot. Dhe shpesh, kjo krijon një dezinformim të tillë sa masa nuk e dallon të mirën nga e keqja dhe faktin nga opinioni.

Sot, bujku flet për politikë e politikani për bujqësi; berberi jep këshilla në mjekësi, ndërsa psikologu mundohet të flasë edhe për parashikimin e motit. Influencues të rrjeteve sociale pa asnjë trajnim profesional flasin me bindje për dieta dhe trajtime shëndetësore, ndërsa youtuber-ët shpesh shfaqen si ekspertë të historisë apo shkencës pa pasur asnjë bazë akademike. Një shofer taksie diskuton zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare, ndërsa një opinionist i rastësishëm në internet jep udhëzime për rregullimin e sistemeve të drejtësisë. Ky lloj pluralizmi mendimesh nuk është domosdoshmërisht i keq, por kur kombinohet me efektin Dunning-Kruger, rezulton në një arenë ku siguria e paarsyeshme triumfon mbi kompetencën reale. Rezultati është shpesh një rrëmujë informative që pengon qytetarët të dallojnë ekspertizën nga amatorizmi.

Shoqëria jonë dhe tendenca për “Gjithologë”

Në shoqërinë tonë, shumë njerëz ndihen kompetent të japin opinionin e tyre për gjithçka, edhe kur fusha përkatëse nuk është e tyre. Ky presion shoqëror për të qenë i “informuar për gjithçka” ushqen një klimë ku zëri më i lartë dhe më me vetëbesim shpesh mbizotëron. Nga ana tjetër, ekspertët e vërtetë shpesh e nënvlerësojnë veten. Duke qenë të vetëdijshëm për ndërlikimet e temës dhe boshllëqet e mundshme në njohuritë e tyre, ata hezitojnë të përfshihen në debatet publike, duke ua lënë hapësirën “ekspertëve” të vetë-emëruar.

Ndikimi i efektit Dunning-Kruger

Efekti Dunning-Kruger ka pasoja serioze jo vetëm në nivel individual, por edhe në vendimmarrjen kolektive dhe funksionimin shoqëror. Për shembull:

  • Në politikë, idetë e thjeshtuara populiste shpesh marrin mbështetje, ndërsa analizat komplekse refuzohen si “shumë teknike”.
  • Në mjekësi, dezinformatat dhe mitet shpesh mbivendosen mbi këshillat profesionale.
  • Në edukim, prindërit shpesh ndjekin sugjerimet e rrjeteve sociale në vend të ekspertëve të fushës.

Si mund të përballemi me këtë fenomen?

Për të kufizuar ndikimin negativ të këtij fenomeni, është thelbësore të ndërmarrim hapa konkretë:

            1.         Arsimimi për mendimin kritik – përfshirja e mendimit kritik dhe verifikimit të informacionit në sistemin arsimor.

            2.         Kultivimi i ndërgjegjësimit shoqëror – nxitja e një kulture ku respekti për ekspertizën dhe njohuritë e thelluara zëvendëson vetëbesimin e pabazuar.

            3.         Promovimi i vlerësimit të ekspertizës – ndërtimi i hapësirave publike ku ekspertët ndihen të dëgjuar dhe vlerësuar.

Konkluzion

Në një shoqëri që po transformohet me shpejtësi nga teknologjia sociale, efektet e fenomenit Dunning-Kruger janë të pamohueshme. Në shoqërinë tonë të mbushur me dinamizëm dhe pasion për diskutim, Efekti Dunning-Kruger mund të jetë si thikë me dy tehe. Ndërsa teknologjia sociale ka demokratizuar informacionin, ajo gjithashtu ka dhënë zë injorancës dhe vetëbesimit të tepruar. Tashmë, kufijtë midis kompetencës dhe vetëbesimit janë zbehur, duke krijuar sfida të reja për dialogun dhe vendimmarrjen shoqërore. Për të përballuar këtë sfidë dhe për të ecur përpara, është e domosdoshme që të balancojmë dialogun publik me edukim dhe respekt për njohuritë e mirëfillta dhe na duhet një qasje që përforcon vlerën e edukimit, respektit për ekspertizën dhe mendimit të matur.

Shkruan: Dr. Sc. Latif HOXHAPsikolog Klinik Specialist

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here