Kulturat ku halucinacionet i shohin si dhuratë shpirtërore

0
68

Në Manualin Diagnostik dhe Statistikor të Çrregullimeve Mendore (DSM-5), dëgjimi i zërave cilësohet si një nga shenjat kryesore të skizofrenisë dhe psikozës. Por në kultura të ndryshme të botës, kjo përvojë nuk shihet gjithmonë si sëmundje.

Në Perëndim, disa halucinacione janë më të pranueshme se të tjerat. Studimet tregojnë se deri në 80% të amerikanëve dhe europianëve që kanë humbur një të afërm thonë se e kanë parë, dëgjuar apo ndjerë pranë tyre pas vdekjes. Por në fisin Achuar të Ekuadorit, përjetime të tilla ndalohen, pasi konsiderohen kërcënim për shpirtrat e të gjallëve.

Në Amazon, fiset Siona dhe Schuar e interpretojnë ndryshe këtë përvojë. Për të parët, halucinacionet e shkaktuara nga substancat janë hyrje në një realitet tjetër; ndërsa për të dytët, pikërisht halucinacioni është realiteti, dhe jeta e përditshme është vetëm iluzion.

Zërat që të udhëzojnë dhe zërat që të qortojnë

Një studim që krahasoi pacientë me psikoza në SHBA, Ganë dhe Indi tregoi dallime të mëdha. Amerikanët shpesh e urrenin zërin e tyre të brendshëm dhe nuk e dinin se kujt i përkiste. Në Chennai të Indisë apo në Accra të Ganës, pacientët e lidhnin zërin me Zotin ose me anëtarë të familjes, duke e përjetuar shpesh si diçka pozitive.

Në Indi, shumë pacientë dëgjonin zërat e prindërve, kunatës ose motrave, që u jepnin këshilla praktike: nga gatimi e deri te larja. “Mësoj atë që nuk di,” tha një prej tyre. Disa në Ganë i përshkruanin si zëra që i shtynin të bënin gjënë e duhur. “Po të mos i kisha pasur këta zëra, do të isha i vdekur prej kohësh,” tregoi një burrë.

Në SHBA, përkundrazi, pjesëmarrësit i përshkruanin zërat si të imagjinuar, shpesh pa asnjë kuptim praktik.

Pse kultura ndryshon përvojën

Antropologia Tanya Luhrmann thekson se shoqëritë jo-perëndimore e pranojnë më shumë idenë se mendja është e lidhur me të tjerët. Në Ganë, dëgjimi i zërave shihet edhe si kontakt me Zotin. Në shumë kultura të botës, është e zakonshme që njerëzit të presin të shohin të vdekurit, të flasin me shpirtra apo të ndërveprojnë me entitete të tjera shpirtërore.

Një shembull domethënës është ai i Egba Yoruba-ve në Nigeri: aty dëgjimi i zërave është aq i zakonshëm sa nuk shqetëson as personin që i dëgjon dhe as të tjerët përreth.

Dy tipare poroziteti (gatishmëria për të pranuar që mendimet e jashtme mund të hyjnë në mendjen tonë) dhe thithja (aftësia për t’u zhytur në imagjinatë) – ndikojnë në mënyrën se si njerëzit e përjetojnë këtë fenomen.

Kur zërat bëhen të rrezikshëm

Studimet tregojnë se pacientët në SHBA janë më të prirur të dëgjojnë zëra kërcënues e të dhunshëm, deri te urdhrat për vetëvrasje apo ushtrim dhune ndaj të tjerëve. Luhrmann sugjeron se shoqëria amerikane, me nivele më të larta dhune dhe pasigurie sociale, mund të ndikojë në këtë përjetim më negativ.

Në vende si India, pacientët shpesh funksionojnë më mirë në shoqëri dhe kanë më pak simptoma negative, madje edhe kur ndalojnë mjekimin. Arsyeja kryesore lidhet me mbështetjen familjare: pacientët rrallë shkojnë vetëm te mjeku, çka i ndihmon të mos izolohen. Në Perëndim, individualizmi dhe kufizimet ligjore shpesh e prishin këtë lidhje, duke çuar në rezultate më të dobëta.

Normaliteti i pazakonshëm

Nga komunikimi me shpirtrat e të vdekurve deri te halucinacionet që japin këshilla për jetën e përditshme, përvoja e “zërave në kokë” është thellësisht e lidhur me kulturën. Ajo që në një vend shihet si simptomë e sëmundjes, në një tjetër mund të nderohet si dhuratë shpirtërore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here