Kujtohet atdhetari Fadil Vata në 33-vjetorin e vdekjes

0
257

Është kujtuar sot 33-vjetori i vdekjes së heroit Fadil Vata. Në ceremoninë e organizuar pranë varrit të tij në Sallagrazhdë të Suharekës, u lartësua vepra e tij, duke u cilësuar si udhërrëfyesi i lirisë e pavarësisë.

Në këtë ngjarje i pranishëm ishte edhe kreu i AAK-së Ramush Haradinaj. Ai tha se Fadil Vata ishte shembull i idealit për t’u shkëputur nga Jugosllavia.

“Jam këtu se e ndjej edhe si borxh familjar. Para lufte lëvizjet për liri janë përballë me të pamundshmen. Janë vetëm pak njerëz shqiptar të asaj kohe që besuan në rrëzimin e Jugosllavisë. U kemi borxh atyre që menduan ashtu dhe vepruan. Heroi Fadil Vata i takon atij brezi të patriotëve që menduan në shembjen e Jugosllavisë”, tha Haradinaj.

Në anën tjetër, bashkëveprimtari i Vatës, Binak Berisha, tha se vepra e tij ishte fort e madhe.

“Rruga që e shtroi Fadili, ia vlejti, sepse sot si pasojë e saj ne po e gëzojmë lirinë. Fadili ishte inspirimi i gjeneratave që më pas u bënë pjesë e luftës për liri. Fadili kishte edhe një dhunti, që sa herë kishte mundësi, ia thoshte këngës dhe me çifteli e kalonte dhimbjen e sakrificën”, tha Berisha.

Fjalë të mëdha patën edhe bashkëveprimtarë të tjerë të Vatës, e kreu i komunës së Suharekës Bali Muharremaj.

Fadil Vata vdiq më 25 prill të vitit 1990. Ai ishte udhëheqës politik i LPK-së (Lëvizja Popullore e Kosovës) i zgjedhur në mbledhjen e LPRK-së në Divjakë në shtëpinë që më vonë u bë shtabi i UÇK-së.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here