Gjermania, Shqipëria, Mbretëria e Bashkuar – vendet anëtare të NATO-s, kanë shtuar ose do të shtojnë numrin e trupave të tyre në Kosovë, pas situatës së sigurisë në vend.
Forca e armatosur gjermane përmes një njoftimi për media kanë bërë të ditur se si rezultat i përkeqësimit të situatës së sigurisë në Kosovë, Gjermania do ta rris numrin e trupave të saj që janë në Kosovë në kuadër të KFOR-it.
Për këtë çështje ka folur edhe Gjenerali gjerman, Bernd Schutt, duke thënë se trupat shtesë gjermane do të zbarkojnë në Kosovë në pranverë.
“Në pranverë do të dërgojmë një kompani shtesë këmbësorie në veprim,” ka thënë gjenerallejtënant Schutt.
Para Gjermanisë, në fund të vitit të kaluar edhe shteti shqiptar ka konfirmuar se do të dërgojë trupa shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, duke folur për situatën e sigurisë në Kosovë, theksonte se rreziku për ndonjë sulm tjetër nga Serbia mund të jetë permanent.
Diplomati shqiptar tha se këtë vit do të sjellin edhe 40 trupa shtesë në kuadër të KFOR-it. Ambasadori Malaj pati njoftuar se aktualisht numri i ushtarëve të Shqipërisë në kuadër të misionit të NATO-s, në Kosovë është mbi 100.
Ndërkaq, gjatë tetorit, KFOR-it që udhëhiqet nga komandanti turk, Ozkan Ulutash, iu bashkuan 134 trupa shtesë nga Rumania, dhe 200 pjesëtarë të tjerë nga Mbretëria e Bashkuar.
Shtimi i trupave të KFOR-it në Kosovë ka ndodh veçanërisht pas sulmit terrorist serb, më 24 shtator në Banjskë të veriut të Kosovës.
Gjithsej 4.687 trupa, nga 27 vende të botës, shërbejnë aktualisht në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), KFOR.
NATO-ja, e cila në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar numëronte 3.762 pjesëtarë në Kosovë, e ka arsyetuar shtimin e pranisë me tensionet e rritura në veriun e banuar me shumicë serbe.
Ndryshe, misioni i KFOR-it në Kosovë, ka shpërndarë vazhdimisht fotografi të ushtarëve amerikanë, italinë dhe jo vetë duke patrulluar kufirin verior të Kosovës.