Kthimi i serbëve në institucione– Deputeti i VV-së, Rexhaj: Nuk mund të kthehen ata që u dekoruan nga Vuçiq

0
318

Policë, gjyqtarë e prokurorë por edhe stafi administrative i këtyre të fundit nga komuniteti serb në komunat veriore të Kosovës, tash e disa ditë janë larguar nga institucionet, me “arsyetimin” për vendimin për targat ilegale të marrë nga Qeveria Kurti, raporton Gazeta Blic.

Aktualisht, asnjëri nga ta nuk është kthyer në vendet e tyre të punës, e që ndërkohë institucionet e Kosovës nga qendra kanë zëvendësuar disa prokurorë e gjyqtarë dhe policë, në mënyre që mos të ketë boshllëk institucional dhe se qytetarëve në atë pjesë të vendit t’u mundësohet ofrimi i shërbimeve.

Teori e qëndrime të ndryshme se si mund të rikthehen policët, gjyqtarët e prokurorë në atë pjesë kanë dhënë deputetët, ekspertët ligjorë por edhe ish- drejtori i Policisë së Kosovës.

Dikush thotë se ata mund të kthehen vetëm përmes konkurseve, e dikush tjetër me një vendim qeveritar apo eventualisht ndonjë marrëveshje për këtë çështje.

Por i prerë është deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, njëherit anëtar i Komisionit për Punë të Brendshme në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij, në këtë rast vetëm duhet të respektohet ligjshmëria dhe ligjet që janë në fuqi, për secilin që vepron sikurse vepruan serbët.

Rexhaj i ka thënë Gazeta Blic, se policët që u larguan assesi nuk duhet të kthehen në vendet e tyre të punës, e për këtë ka pasur edhe një shpjegim.

“Nuk duhet dhe nuk mund të kthehen ata që u dekoruan për veprimet e tyre nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq. Ata (policët serbë) kanë sfiduar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, vlerëson Arbër Rexhaj.

Për prokurorët dhe gjyqtarët, ky deputet i partisë që udhëheq me vendin, thotë se mund edhe të kthehen përmes një marrëveshjeje, por që aktualisht nuk ekziston dhe se sipas tij, as edhe në të ardhëm nuk mund të ketë një të tillë.

Këtu ka përmendur edhe shefin e partisë së tij, njëherit kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Para pak ditësh për këtë rast foli edhe kryeministri Kurti i cili tha se i ka lutur serbët që mos të largohen nga pozitat e tyre, por që nuk do t`i lus që ata të kthehen sërish”, thotë Rexhaj duke cituar fjalët e Kurtit.

Serbët që kanë punuar në institucionet e Kosovës në katër komunat veriore kanë “vendosur edhe një kusht të ri” në mënyrë që ata të mund të kthehen në vendet e tyre të punës – themelimi ne Asociacioni të Komunave me Shumicë serbe e për të cilën kryeministri i vendit është i prerë se nuk do të ketë Asociacion me shumicë serbe e hiq më pak në rast se ai do të ketë kompetenca ekzekutive.

Serbët nuk u kthyen në vendet e tyre të punës pavarësisht se tashëm ekziston një marrëveshje Kosovë Serbi e arritur në Bruksel për targat ilegale serbe.

Marrëveshja në fuqi është se Kosova nuk do të zbatoj vendimin e saj për shqiptimin e gjobave apo konfiskimin e tabelave “KM” “PR” “PZ” e të tjera, përderisa Serbia është nuk do të prodhojë më tabelat të tilla për serbët që jetojnë në Kosovë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here