Kthimi i fuqishëm i Milot Rashicës nga lëndimi

0
30

Ylli i Kosovës, Milot Rashica, nuk njeh humbje në kampionatin e Turqisë pas kthimit nga lëndimi. Për më tepër, në dy ndeshjet e fundit Rashica e ndihmoi Beshiktashin me një gol dhe një asistim.

Shënoi gol në fitoren 3:1 ndaj Eyupsporit të premten, ndërsa asistoi në fitoren 2:1 ndaj Trabzonsporit.

Fitorja ndaj Eyupsporit ishte e treta rresht për Beshiktashin, që zë vendin e katërt me 41 pikë.

Goli i realizuar të premten ishte i dyti në 17 ndeshje në Superligën e Turqisë këtë edicion. Sulmuesi i krahut ka edhe pesë asistime.

Dy gola e një asistim Rashica i pati edhe në Ligën e Evropës, kurse një asistim e ka për Kupë të Turqisë.

“Jam kthyer në mënyrën më të mirë të mundshme pas disa lëndimeve që kisha nga fundi i vitit të kaluar. Po ndihem mirë fizikisht dhe jam duke luajtur në çdo ndeshje. Ndeshjet e fundit kanë qenë të mira, ku kam arritur ta ndihmoj ekipin me gola dhe asistime”, ka thënë Rashica për KOHËN të dielën.

Rashica ka vlerësuar trajnerin Ole Gunnar Solskjaer. Ai ka theksuar se ish-futbollisti dhe trajneri i Manchester Unitedit, ka sjellë energji pozitive në ekipin e Beshiktashit.

“Trajneri dhe stafi i tij kanë sjellë energji shumë pozitive. Kemi pasur nevojë pas gjithë atyre problemeve që kemi pasur kohët e fundit me ndërrime të shumta. Jemi duke mësuar shumë prej tij, duke pasur parasysh edhe përvojën e madhe që ka pasur si lojtar dhe tash si trajner. Ka dëshirë që të luajmë lojë ofensive, gjë që edhe na përshtatet. Për momentin gjithçka është duke shkuar mirë”, ka theksuar Rashica.

Mirë shpreson t’i ecë edhe me Kosovën. “Dardanët” në mars i luajnë dy ndeshjet e plejofit të Ligës së Kombeve kundër Islandës.

“Nuk do të jetë lehtë duke ditur edhe kualitetin e kundërshtarit. Por besoj dhe shpresoj që nëse vazhdojmë me paraqitje të mira sikurse në ndeshjet e fundit, do t’ia arrijmë qëllimit”, thotë ish-futbollisti i Werder Bremenit, Norwich Cityt dhe Galatasarayt. Rashica ka luajtur edhe për Vitessen, ndërsa karrierë ka bërë edhe në Kosovë.

Rashica është prej lojtarëve kryesorë te Kosova. Në përfaqësuese ka shënuar 12 gola në 47 ndeshje.

Kosova i ka humbur dy ndeshjet ndaj Islandës, në kuadër të ciklit të parë kualifikuese për Kupën e Botës.

Një tjetër cikël të Kupës së Botës, Kosova do ta nisë në shtator. Është pjesë e Grupit B së bashku me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë.

Rashica insiston se Kosova ka gjasat e saj.

“Është një grup shumë i balancuar, në të cilin sigurisht që mendoj se kemi gjasa për të arritur rezultate të mira. Por mund të shkoj gjithçka edhe ndryshe, sepse po flasim për tri ekipe kombëtare shumë cilësore. Zvicra dhe Sllovenia kanë pasur paraqitje shumë të mira në Evropianin e fundit, kurse Suedia është skuadër që ka pasur rritje të madhe. E fitoi grupin në Ligën C, ka futbollistë në formë shumë të mirë në ligat kryesore në Evropë dhe këto janë disa nga anët pozitive që e bëjnë kundërshtare shumë të fortë”, ka shtuar 28-vjeçari nga Vushtrria.

Ai insiston se Kosova ndodhet në grup shumë të vështirë.

“Në përgjithësi mendoj që është grup shumë i fortë, në të cilin nuk do të jetë aspak lehtë për ne. Por edhe ne kemi gjasat tona dhe shpresoj që me pjekurinë që kemi fituar tash e disa vjet, të jemi në gjendje të marrim maksimumin”.

Rashica dhe lojtarët tjerë të Kosovës synojnë atë që kanë dashur edhe në të kaluarën – kualifikimin.

“Normalisht që është ëndërr për të luajtur në një garë të madhe. Ëndrra e madhe është Botërori, por edhe Evropiani do të ishte arritje e jashtëzakonshme dhe plotësim i ëndrrës, qoftë për mua, por edhe për grupin e lojtarëve që kemi”.

Përfaqësuesja e Kosovës do ta nisë rrugën drejt Botërorit 2026 kundër Zvicrës më 5 shtator. Do të jetë kampanja e nëntë për Kosovën pas pranimit në UEFA dhe FIFA.

Rashica është njëri prej gjashtë lojtarëve nga ekipi aktual i “Dardanëve” që nuk i kanë munguar Kosovës asnjë cikël kualifikues apo fazë grupore të organizuar nga UEFA dhe FIFA, përfshirë kualifikimet e Kupës së Botës, Evropianit dhe ndeshjet e Ligës së Kombeve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here