Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, vlerësoi se nga zbatimi i planit evropian, nënkupton që Serbia ka pranuar pavarësinë e Kosovës.
Duke folur për takimin e 27 shkurtit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, Kryeziu tha se nga kjo marrëveshje Kosovës i hiqen të gjitha pengesat për t’u futur në mekanizmat ndërkombëtarë.
“Kjo marrëveshje, në një far forme është edhe marrëveshje e paqes. Marrëveshje e heqjes së pengesave së Kosovës për t’u futur në mekanizmat ndërkombëtarë. Përndryshe, Serbia me këtë marrëveshje ka pranuar pavarësinë e Kosovës, nuk e ka pranuar sovranitetin. Serbia vazhdimisht ka pretendime territoriale, ndërsa Kosova ka rol mbrojtës. Kjo është një parapërgatitje për njohjen e Kosovës nga Serbia”, deklaroi Kryeziu në Teve1.
Por sipas Kryeziut, në këtë marrëveshje qëndron një problem kushtetues.
“Por, këtu është një problem kushtetues. Askush nuk mund ta pranojë Kosovën nga autoritetet e shteteve serbe, derisa të ndryshohet kushtetua, sepse ndryshe bën tradhti kombëtare”, shtoi tutje Kryeziu në Tëvë1.