Kryetari i AAK-së në Prizren e vlerëson si gabim të rëndë koalicionin me Nismën, kërkon falje nga përkrahësit

0
244

Kryetari i degës së AAK-së në Prizren ka vlerësuar se lidhja e koalicionit parazgjedhor me Nismën Socialdemokrate ka qenë gabim i rëndë. Për këtë arsye ka kërkuar falje nga votuesit dhe përkrahësit e AAK-së.

“Gabimi më i rëndë i kësaj periudhe ishte lidhja e një koalicioni të panatyrshëm me të majtët e Nismës Socialdemokrate. Ky bashkëpunim ishte një devijim nga vlerat dhe identiteti ynë politik – dhe për këtë përgjegjësinë e marrim ne, kryesia dhe kryetari së bashku”, është shprehur Krasniqi.

Sipas tij, Aleanca është një forcë politike e qendrës së djathtë, e ndërtuar mbi parime të qarta, mbi traditë kombëtare, përgjegjësi dhe integritet dhe se largimi nga këto vlera është një shkelje ndaj besimit të votuesve e përkrahësve të AAK-së.

“Personalisht dhe politikisht, kërkoj falje për këtë hap të gabuar. Ua kam borxh sinqeritetin dhe reflektimin. Zotohem se asnjëherë më nuk do të lejoj — dhe nuk do të jem pjesë — e koalicioneve që shkelin parimet e djathta dhe shijen tuaj politike”, ka bërë të ditur ai në rrjetet sociale, raporton Telegrafi.

Në të njëjtën kohë ka shprehur qëndrimin se Aleanca do të vazhdojë të forcohet si një zë i fuqishëm dhe i besueshëm i djathtës shqiptare.

“E ardhmja jonë është në qëndrueshmëri, jo në pazare”, ka përfunduar Krasniqi.

Në zgjedhjet e këtij viti për Kuvendin e Kosovës, koalicioni AAK, Nisma Socialdemokrate, Konservatorët, Intelektualët ka marrë 66 256 vota ose 7,06%. Nga tetë deputetët e zgjedhur të këtij koalicioni 5 janë nga AAK-ja dhe 3 nga Nisma Socialdemokrate. Sinjalet e kësaj të fundit se mund të përfshihet në koalicion me LVV-në ka ndikuar në ftohjen e raporteve me AAK-në. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here