Kryetari i AAK-së në Prizren, Besnik Krasniqi, me akuza të rënda ndaj pushtetit lokal

0
247

Besnik Krasniqi, kryetar i AAK-së në Prizren, ka reaguar ashpër ndaj qeverisjes aktuale komunale, duke e quajtur atë “të degraduar, të kapur dhe të zhytur në skandale”. Ai e ka cilësuar dorëheqjen e asambleistit Shukri Quni si një “akt të lartë moral”, por vetëm “maja e ajsbergut” të problemeve që po e prekin qytetin, raporton 04 Online.

Sipas Krasniqit, brenda ekzekutivit komunal ka pretendime për dhunë, blerje vendesh pune, si dhe manipulime me konkurset publike, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë. Ai akuzon kryetarin aktual se ka blerë asamblistë për të ruajtur pushtetin.

Në fund, Krasniqi bën thirrje për bashkim të opozitës, shoqërisë civile dhe qytetarëve, për siç ka thënë, për ta “rrëzuar këtë pushtet të kalbur” dhe për t’i kthyer Prizrenit “dinjitetin dhe të ardhmen”.

Reagimi i plotë i Krasniqit:

Qyteti ynë, Prizreni – dikur simbol i kulturës e krenarisë kombëtare – sot po përballet me një qeverisje lokale të degraduar, të kapur dhe të humbur në skandale.

Akt i lartë moral i dorëheqjes së asambleistit Shukri Quni është vetëm maja e ajsbergut.

Pretendimet për dhunë brenda ekzekutivit, blerje të vendeve të punës, dhe anulimi i konkursit në shëndetësi pas denoncimeve që kemi bërë, e nxjerrin zbuluar tërë rrjetin e abuzimit dhe paaftësisë.

Për më keq, ky kryetar thuhet se ka blerë asamblistë për ta ruajtur pushtetin me çdo çmim – duke i shkelur parimet demokratike dhe duke e kthyer Kuvendin Komunal në arenë pazari, jo përfaqësimi.

Kjo s’është më qeverisje – kjo është degradim institucional.

🛑Apeloj për bashkim të gjithë spektrit opozitar, shoqërisë civile dhe qytetarëve të ndershëm. Koha është tani – ta rrëzojmë këtë pushtet të kalbur dhe t’ia kthejmë Prizrenit dinjitetin dhe të ardhmen!

Me respekt,

Besnik Krasniqi

Kryetar i Degës së AAK-së – Prizren

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here