Në natë kritike të 29 nëntorit, Policia e Kosovës ka zbuluar rrugën në të cilën të dyshuarit kryesorë të cilësuar kaluan për të vendosur 20 kg mjet eksploziv.
Zona ku ndodhi sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit po vazhdon të vëzhgohet edhe pas katër ditësh nga Policia e Kosovës.
Për të kryer aktin, të dyshuarit e sulmit të 29 nëntorit përdorën rrugë dytësore.
Në këtë zonë të thellë të fshatit Varagë, shihen pak shtëpi e rrugë pak të frekuentuara.
Në një përgjigje për Teve1 Policia e Kosovës thanë se janë duke intervistuar dhe hetuar persona të tjerë për rastin.
“Kjo është rruga e cila dyshohet se është përdorur nga kryerësit e aktit tashmë të cilësuar terrorist nga Qeveria e Kosovës, të cilët këtu në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut e kanë shfrytëzuar për të shkuar në drejtim të Ibër-Lepencit në kanalin kryesor ku është hedhur rreth 20 kg mjet eksploziv. Siç ka mësuar televizioni nga burimet e saj brenda Prokurorisë , Policia e Kosovës gjegjësisht njësia K9 ka gjetur shenja të këmbëve në këtë zonë”.
Gjatë kohës sa po qëndronte televizioni në këtë zonë, u panë hetues të Policisë së Kosovës të cilët intervistonin banorët e këtij fshati në cilësinë e dëshmitarëve.
Në një përgjigje për televizionin, Policia e Kosovës bënë të ditur se janë duke vazhduar hetimet.
“Lidhur me këtë rast, edhe pas arrestimeve dhe konfiskimeve të armëve, municionit e pajisjeve të ndryshme të deritanishme, Policia po vazhdon të kryejë hetime intensive në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë” , thuhet në përgjigje.
Në anën tjetër kryetari i komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri theksoi se në vendin e ngjarjes janë gjetur dëshmi të ndryshme.
“Kur kam qenë unë këtu, veç ka qenë e mobilizuar, njësi policore në krejt zonën, ka pas prezencë të madhe të Policisë, më pastaj edhe ekipe të tjera në përforcime dhe natyrisht që kanë bërë disa kontrolle dhe me siguri kanë gjet edhe shenja se eventualisht kush ka mundur me qenë ose kah ka lëvizur”, tha ai.
Për sanimin e dëmit në kanalin e Ibër-Lepencit, edhe të mërkurën punohej me intensitet të lartë, ku pritet të bëhet baypass i cili mundëson lëvizjen më të lirshme të ujit që vjen nga liqeni i Ujmanit.
Televizioni pa nga afër rritjen e masave të sigurisë edhe në afërsi të liqenit ku shiheshin Policia e Kosovës duke patrulluar.
Aty u pa edhe barka me të cilën veprojnë policia e vendit.
Masa të rrepta sigurie u panë edhe në pikën kufitare Bërnjak ku veturat kontrolloheshin në detaje.
Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, dy vëllezërit, Dragisha Viqentijevi dhe Jovan Viqentijeviq janë personat kryesorë të dyshuar për rastin e Ibër-Lepencit.