Kryeprokurori i Prizrenit dhe përfaqësuesit e Ambasadës Britanike diskutojnë për themelimin e Ekipeve të Përbashkëta Hetimore

0
114

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka pritur sot përfaqësues nga Ambasada Britanike, Alan Edwards dhe Blend Zyrapi, me të cilët ka diskutuar për forcimin e kapaciteteve hetimore në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore, kontrabandimit me migrantë dhe narkotikëve, shkruan 04 Online.

Palët theksuan rëndësinë e krijimit të ekipeve të specializuara dhe bashkëpunimit ndërinstitucional e ndërkombëtar për trajtimin efikas të këtyre rasteve.

“Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, z.Petrit Kryeziu, priti sot në takim përfaqësues nga Ambasada Britanike, z. Alan Edwards, mentor për Ekipet e Përbashkëta Hetimore (JIT), dhe z. Blend Zyrapi, këshilltar teknik.

Gjatë takimit, u trajtua çështja e përbërjes dhe funksionimit të Prokurorisë Themelore në Prizren, me theks të veçantë në kapacitetet për hetimin e rasteve të trafikimit me qenie njerëzore, kontrabandimit me migrantë, shitblerjes së  narkotikëve etj. U diskutuan sfidat kryesore në trajtimin e këtyre rasteve dhe nevojat për përmirësimin e kapaciteteve hetimore dhe mbrojtjen e viktimave.

Po ashtu, u diskutua rëndësia e krijimit të ekipeve të specializuara hetimore, të cilat do të fokusohen në trajtimin efikas dhe të koordinuar të rasteve të trafikimit me qenie njerëzore dhe kontrabandimit me migrantë, si një prej sfidave më të mëdha të drejtësisë dhe të sigurisë në vend.

Kryeprokurori theksoi nevojën për bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, si dhe për mbrojtjen e viktimave, duke garantuar drejtësi dhe përgjegjësi ndaj autorëve të këtyre veprave penale.

Po ashtu, u disuktua edhe për rastet dhe aksionet e fundit që Prokuroria e Prizrenit i ka ndërmarrë dhe i ka në trajtim, duke demonstruar angazhimin e vazhdueshëm për luftimin e kriminalitetit dhe për garantimin e drejtësisë.

Kryeprokurori falenderoi përfaqësuesit e Ambasadës së Britanisë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke theksuar rëndësinë e këtij partneriteti në forcimin e kapaciteteve hetimore dhe arritjen e rezultateve konkrete në luftën kundër kriminalitetit.

Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ngritjes së kapaciteteve hetimore në fushën e trafikimit me qenie njerëzore dhe kriminalitetit në përgjithësi.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren./04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here