Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla ka uruar Kosovën në Ditën e Pavarësisë.
Nikolla u shpreh se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE është rruga e vetme drejt paqes.
“Shqipëria mbështet integrimin e Kosovës në NATO, anëtarësimin në Këshillin e Europës dhe në Kartën e Adriatikut, A5. Me mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së, aleatëve strategjik të kombit shqiptar, e ardhmja evropiane e Kosovës është e sigurt. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE, është rruga e vetme drejt paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon”.
“Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është një ngjarje historike jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë kombin shqiptar”, u shpreh ajo.
“Liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i luftës dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës, të mbështetura nga aleatët strategjikë të shqiptarëve, SHBA, BE dhe NATO”.
Më tutje ajo tha se prioritet i Shqipërisë mbetet Kosova.
“Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë. Kuvendi, institucionet e vendit dhe gjithë qytetarët janë në krah të popullit dhe institucioneve të Kosovës në përballimin e sfidave të zhvillimit dhe integrimeve euroatlantike, të cilat arrihen në koordinim dhe me mbështetjen e aleatëve të mëdhenj, SHBA dhe BE”, u shpreh Nikolla.