Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka rifilluar përpjekjet për të zgjidhur ngërçin politik që ka bllokuar konstituimin e Kuvendit. Shefja e shtetit do të nis sot takimet me liderët e partive politike, me synimin për të gjetur një zgjidhje që do të çonte drejt tejkalimit të krizës institucionale.
Në dallim nga hera e kaluar, kur liderët ishin ftuar në një takim të përbashkët, kësaj radhe presidentja Osmani ka vendosur t’i takojë në mënyrë individuale. Ajo do të zhvillojë biseda sy më sy me secilin kryetar partie, për të dëgjuar nga afër qëndrimet dhe për të kërkuar konsensus.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka konfirmuar se do të takohet me presidenten Osmani. Ai ka përsëritur qëndrimin e PDK-së dhe ka theksuar përkushtimin për gjetjen e një zgjidhjeje.
“Qëndrimi ynë është ai që kemi pasur gjithmonë. Ka dy tre muaj që mundohemi me gjetë zgjidhje me ofru kompromise, për të dal nga kjo situatë. Nesër prapë do të jem tek presidentja. Këtë e shoh pozitive në kuptimin e angazhimit, por s’di çka të them për mundësinë e rezultatit. Sepse bllokada është prodhim i kryeneqësisë politike të VV-së,” ka deklaruar Krasniqi.
Pas tij, presidentja do ta takojë edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ndërsa në orën 16:00 është planifikuar takimi me liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në mesin e të ftuarve është edhe kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, i cili ka konfirmuar pjesëmarrjen në takim.
“Kam marrë pjesë më herët e do të marrë pjesë edhe tash,” ka thënë Kurti për mediat, gjatë vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e urave mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Takimet me përfaqësuesit e partive të komuniteteve joshumicë pritet të mbahen një ditë më pas. Deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balja, ka bërë të ditur se ka marrë ftesë nga presidentja Osmani dhe se takimi do të zhvillohet të enjten në orën 11:30.
Presidentja kishte mbledhur liderët politik edhe më 15 maj, kur pati organizuar një takim të përbashkët. Pas atij takimi, ajo kishte vlerësuar sjelljen konstruktive të pjesëmarrësve.
“Dua t’i përgëzoj liderët për qasjen e tyre konstruktive në këtë takim, sado që kishin qëndrime të ndryshme në shumicën dërrmuese të temave. Secili prej tyre tregoi vullnet të mirë për një zgjidhje përpara, që të konstituohet Kuvendi sa më parë,” kishte deklaruar Osmani.