Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme në Republikën e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz ka deklaruar se nuk është kritike ndaj Bashkimit Evropian por ndaj burokratëve brenda saj.
Këtë deklaratë Gërvalla e bëri duke iu referuar kritikave që së fundmi ka pasur ndaj procesit të dialogut dhe emisarit Miroslav Lajçak, për të cilin kishte thënë se është i dështuar për shkak se sipas saj, ka hyrë pa strategji dhe vizion në këtë proces.
“Unë nuk jam kritike ndaj Bashkimit Evropian sepse unë institucionin që e drejtoj dhe në qeverinë në të cilën jam pjesë, ne punojmë çdo ditë që ta afrojmë Kosovën me Bashkimin Evropian. Unë jam kritike ndaj mbështetjes joreale të burokratatëve brenda Bashkimit Evropian, të atyre të cilët nganjëherë me një lehtësi shumë të madhe injorojnë realitetin në rajonin dhe në vendin tonë. Dhe japin këshilla të cilat jo vetëm që nuk funksionojnë por i krijojnë konfliktet e së ardhmes dhe jo pse unë e them, por sepse këtë e thonë shumë përfaqësues të shteteve të ndryshme anëtare të BE-së”, tha Gërvalla në Tëvë1.
Derisa theksoi se procesi i dialogut gjatë dy viteve të fundit ka treguar që është i dështuar, kjo pasi sipas saj, në tavolinën e bisedimeve Kosova ka përballë palën e cila po ushtron trupa paramilitarë për ta sulmuar shtetin e Kosovës.
“Procesi si ka ecur i dialogut sidomos gjatë dy viteve të fundit ka treguar që është i dështuar, ndryshe nuk mund të quhet një proces gjatë të cilit ndërkohë që diskutohet në tavolinë për tema të rëndësishme, njëra nga palët është duke ushtruar trupa paramilitare për të sulmuar atë shtet, përfaqësuesin e të cilit e ka përballë. Dhe kjo do të duhej të ishte një sinjal shumë i qartë që dialogu kështu si ka qenë deri tani i dizajnuar është i dështuar dhe duhet të kemi ide të reja dhe qasje krejtësisht të re”, shtoi Gërvalla.