Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur të gjitha procedurat lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 23 prillit, duke i hapur rrugë konstituimit të institucioneve lokale në katër komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Ndërkohë, kërkesa e BE-së për djegien e mandateve të kryetarëve në veri, kritikohet nga njohës të çështjeve ligjore.
Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, mbledhja inauguruse e Kuvendit Komunal duhet të mbahet brenda 15 ditëve pas certifikimit të rezultatit, ndërsa katër kryetarët e rinj të komunave në veri të Kosovës duhet të bëjnë betimin e tyre deri më së largu 28 maj. Kjo pasi ligji specifikon se “Kryetari që dështon të japë betimin brenda një muaji nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve e humbet mandatin”. Disa kryetarë të komunave veriore kanë deklaruar se do të bëjnë betimin jashtë objektit të komunës. Kjo nuk është ligjore, thotë njohësi i çështjeve kushtetuese Kadri Kryeziu.
“Unë po dëgjoj se jo do të jepet betimi jashtë objektit, etj, etj. Këto kanë ndodhur vetëm në kohën e revulucionit francez, kur janë quajtur disa komuna malore d.m.th këto ndodhin vetëm në raste të jashtëzakonshme, në raste të luftës. Këto zgjedhje, nuk kanë legjitimitet bile as legalitet dhe janë humbje kohe edhe financiare edhe politike. Por duhet të mbahen zgjedhje të rregullta, të lira edhe të pavarura që prodhojnë efekte në ngritjen e institucioneve respektive me legjitimitet dhe legalitet të plotë”, tha Kryeziu për Radio Kosovën.
Bashkimi Evropian ka kërkuar që kryetarët e sapozgjedhur të komunave veriore të djegin mandatet e tyre. Por, qasja e BE-së kritikohet nga njohësi i rrethanave ligjore, Mazllum Baraliu. Ai thotë se ishte vetë BE-ja ajo e cila ditë më parë deklaroi se do të njohë rezultatin e zgjedhjeve në komunat veriore dhe tani kërkon djegien e mandateve. Kjo, sipas tij është kontradiktore.
“Unë e vlerësoj me keqardhje si një turbullirë politike dhe kontradiktore në mes të zyrtarëve kryesor të BE-së. Pse? Sepse para disa ditësh përfaqësuesit e shteteve të Kuintit janë deklaruar se do t’i njohin këto zgjedhje dhe rezultatin e tyre pa marrë parasysh se kush merr pjesë në to dhe kush jo. Ndërkohë që një përfaqësues i tyre del sikur të jenë këto politika private dhe deklaron se do të ishte mirë që në një mënyrë apo tjetër këto zgjedhje të përsëriten për të nënkuptuar se kinse nuk mund të kenë legjitimitet”, tha Baraliu për Radio Kosovën.
Kërkesën e Bashkimit Evropian për djegien e mandateve të kryetarëve të katër komunave veriore e kanë kritikuar edhe kryetarët e sapozgjedhur. Ata kanë thënë se nuk do të merren me deklaratat e emisarëve, të cilët sipas tyre, po shkelin të drejtat e njeriut.