Raportet mes Marc-Andre Ter Stegen dhe Barcelonës duket se kanë hyrë në një periudhë të tensionuar. Portieri gjerman, i cili ka qenë i lënduar për pjesën më të madhe të sezonit të kaluar, ka refuzuar që klubi katalanas të dërgojë raportin e tij mjekësor në La Liga, shkruan 04 Online.
Ky veprim ka bllokuar Barcelonën nga mundësia për të liruar 80% të pagës së Ter Stegenit përmes rregullores së La Ligës për lëndimet afatgjata, duke krijuar një situatë të ndërlikuar financiare për klubin.
Për këtë arsye, Barça ka hapur një çështje disiplinore ndaj portierit gjerman, duke e cilësuar refuzimin e tij si një qëndrim të dëmshëm për klubin dhe për bashkëlojtarët e tij.
Gjatë mungesës së Ter Stegenit sezonin e kaluar, Barcelona u detyrua të rikthejë portierin polak Wojciech Szczesny nga pensionimi për të mbuluar boshllëkun në portë. Megjithëse Ter Stegen u rikuperua më vonë, ai vendosi të nënshtrohet një operacioni tjetër që pritet ta mbajë jashtë fushave edhe për katër muaj të tjerë.
Ky zhvillim mund të ndikojë edhe në të ardhmen e tij te Barcelona, nëse palët nuk arrijnë të zgjidhin tensionet që tashmë janë bërë publike./04 Online